“Fillime për t’u mbajtur mend” 1948 – 1956

Share Button
Kemi kënaqësinë e veçantë t’ju informojmë se më 5 dhjetor 2018 (e mërkurë), në objektin Hamami i Daut Pashës, në ora 20 do të hapet ekspozita me titull “Fillime për t’u mbajtur mend” 1948 – 1956 (një ekspozitë nga arkivi i Galerisë kombëtare të Maqedonisë), realizimi i së cilës bëhet në suaza të shënimit të jubileut “Shtatëdhjetë vjet Galeria kombëtare e Maqedonisë”.

Kjo ekspozitë do të prezantojë gjithsej 150 fletë të dokumentimeve origjinale të arkivit të galerisë, përmbledhje të galerisë dhe mënyrën e udhëheqjes së saj. Në këtë mënyrë do të na rikujtojë mundin dhe investimin e madh, jo vetëm nga ekipi që ka drejtuar Galerinë artistike, por edhe nga institucionet shtetërore të cilat kanë treguar përgjegjshmëri të madhe dhe kanë dhënë mbështetje të jashtëzakonshme në mënyrë që Galeria sot të mund të jetë një tempull arti dhe nxitës i jetës kulturore në Maqedoni.

Ideja për një ekspozitë të tillë lindi si rezultat i kërkimeve të mia mbi dokumentimet e arkivit, duke dashur të kompletoj të dhënat e veprave të koleksionit tonë. Gjatë këtij hulumtimi gjeta shumë të dhëna të lidhura me formimin e galerisë, veprat e saj dhe komunikimin me artistë dhe institucione të ndryshme. Më së shumti më ka lënë përshtypje periudha nga viti 1948 deri në vitin 1956, kur galerinë e udhëhiqnin artistët e shquar maqedonas si Borko Llazeski dhe Nikolla Martinoski. Kjo periudhë ka qenë një periudhë e mbushur me profesionalizëm, këmbëngulje dhe përgjegjshmëri, jo vetëm nga të punësuarit e Galerisë artistike por edhe nga organet dhe institucionet e tjera shtetërore.

Në një shtet të varfër, me ekonomi të pazhvilluar, ku akoma mund të ndjehen pasojat e luftës, ndjenja e lartë ndaj kultivimit të trashëgimisë kulturore dhe stimulimit të prezantimeve të krijimtarisë bashkëkohore artistike është diçka mahnitëse. Gjatë kësaj periudhe janë bërë dhe hapat më të rëndësishëm për ekzistencën e këtij institucioni, gjegjësisht: “Hamami i Daut Pashës” është shndërruar në një hapësirë ekspozimi, është krijuar një përmbledhje e pasur veprash dhe janë realizuar gjithmonë e më shumë ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky këndvështrim drejt periudhës së fillimeve (1948 – 1956) të formimit të të ashtuquajturës “Kartina” apo “Galeria artistike”, e cila sot mban emrin Galeria kombëtare e Maqedonisë, ndonëse në dukje të parë i shkurtër, por profesionalisht i gjatë dhe i pasur, paraqet një rikujtim për të gjithë përpjekjen si dhe rezultatet që duhen respektuar dhe nuk duhen harruar asnjëherë.

Kuratore e ekspozitës
Sllavica Aleksoska

Share Button