Në Galerisë kombëtare të Kosovës “Esenca e ekzistencës”

ngm esencija kosovo 1

Ekspozita “Esenca e ekzistencës” ku morën pjesë 20 artistë bashkëkohorë të Maqedonisë dhe tre kuratorë të Galerisë kombëtare të Maqedonisë, Ana Frangovska, Goranço Gjorgjievski dhe Maja Çankullovska Mihajllovska, më 27 nëntor 2017 u hap në Galerinë kombëtare të Kosovës në Prishtinë, duke krijuar interes të veçantë.

Me anë të kësaj paraqitjeje të parë zyrtare të artit të Maqedonisë në Kosovë u vërtetua vendosja e një bashkëpunimi të frytshëm bilateral mes dy shteteve fqinje dhe dy galerive, një bashkëpunim i cili do të mirëmbahet dhe thellohet në të ardhmen. Ekspozita u hap në nivel të lartë shtetëror, së pari nga drejtoresha e Galerisë kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e më pas publikut iu drejtuan Zëvendës ministrja e kulturës, të rinjve dhe sportit të R. Së Kosovës, znj. Burbuqe Bakija Deva dhe Sekretari shtetëror i kulturës së R. së Maqedonisë, z. Valmir Aziri. Në fund u drejtua drejtoresha e Galerisë kombëtare të Maqedonisë, dr. Dita Starova Qerimi. Në hapjen e ngjarjes ishin prezentë përfaqësues të lartë të krerëve diplomatikë në Republikën e Kosovës dhe sigurisht edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Kosovë, z. Ilija Strashevski.

ngm esencija kosovo 3

Ekspozita dhe koncepti nxitën vëmendje të veçantë të mediave dhe publikut, pasi trajtojnë probleme të cilat janë shumë aktuale edhe në shoqërinë e tyre të re dhe në tranzicion. Koncepti artistik i ekspozitës u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, të jetës, ekzistencës, perceptimeve të cilat vijnë nga aspekte të ndryshme drejt esencës së qenies, të mbijetesës, të funksionimit. Këtu përfshihen gjeneza e dashurisë, shpirtërores, të ushqyerit… kurse nën këtë diskurs zbulohen edhe çështjet e dinjitetit, ideologjisë, politikës, jetës sociale. Zakonisht, kur bëhet fjalë për një tematikë që lidhet me ekzistencën, është e pashmangshme të përmendet Sartri dhe ekzistencialistët, të cilët flasin mbi absurditetin e fenomeneve socio shoqërore, që do të thotë për absurditetin e esencës në ekzistencë. Qëndrimet kritike mbi ekzistencën e përditshme në veprat e ekspozitës “Esenca e ekzistencës” mund të kuptohen edhe në kontekst të reflektimit mbi “vështirësinë e papërballueshme të qenies”, si parafrazë e titullit të romanit të mirënjohur të Milan Kunderës “Lehtësia e papërballueshme e qenies” dhe ofrojnë shembuj të ndryshëm të sistemeve represive shoqërore.

mng esencija kosovo 4

Sigurisht, këtu gjendet edhe psikologjia e Abraham Maslowit dhe teoria e tij shpesh herë e eksploatuar e “Hierarkisë së nevojave”. Në bazën e “piramidës së tij të nevojave” gjendet përmbushja e nevojave biologjike dhe fiziologjike evolutive të njeriut, ndërsa “pushtimi” gradual i niveleve më të larta të piramidës bëhet gjithnjë më kompleks dhe është rrallëherë i arritshëm. Interpretimi i vetëm i kësaj teorie, radhitja e këtyre niveleve të nevojave dhe raportet mes tyre, nëpërmes të cilave kalimi për te shkalla e mësipërme kushtëzohet nga plotësimi i nevojës paraprake, ndërlikohet nga pasiguria themelore sociale si kusht për sigurimin e nevojave bazike jetësore. Ky koncept me një kuptim të përgjithshëm do t’i përfshijë aspektet e tridhjetë artistëve bashkëkohorë të Maqedonisë të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj parimeve ekzistencialiste, duke përdorur media të ndryshme të shprehje vizuale – nga ato klasiket: piktura, grafika, skulptura, duke kaluar te instalimet, objektet, fotografitë, e deri te video projektimet, printimet digjitale, performansat, audio instalimet. Artistët e përzgjedhur, Ismet Ramiçeviq, Metodi Angellov, Atanas Botev, Vana Urosheviq, Irena Paskali, Aleksandar Stankoski, Velimir Zhernovski, Gjorge Jovanoviq, Marija Sotirovska, Dijana Bogdanovska, Igor Sekovski, Sllavica Janeshlieva, OPA, Mihaela Jovanovska, Krunisllav Stojanovski, Zeni Ballazhi, Mirna Arsovska, Zorica Zafirovska, Aleksandar Spasoski, Zhaneta Vangeli, në fjalorin e tyre krijues përdorin elemente të cilat i shkojnë për shtat diskursit kryesor të konceptit, ndërkohë që secili prej tyre i shqyrton gjërat esenciale të ekzistencës në mënyra të ndryshme dhe prej këndvështrimeve të ndryshme. Shpresojmë dhe besojmë se me këtë pamje tematike do të ofrojmë një mundësi këndvështrimi të artit bashkëkohor të Maqedonisë.

This post is also available in: Macedonian

There are no responses so far.

 

New comments are closed.