Ekspozita e Goran Despotovskit në Çifte Hamam

Me kënaqësi të veçantë e paralajmërojmë ekspozitën “Subscript” të artistit nga Novi Sadi Goran Despotovski, e cila do të hapet më 8 tetor të vitit 2021, në objektin Çifte Hamam, në ora 20:00.
Ekspozita “Subscript” e Goran Despotovski është e karakterit retrospektiv dhe shtrihet në korpusin e disa veprave të tij, kryesisht në mediumin e instalacionit. Në pjesën më të madhe të instilacioneve dhe objekteve të realizuara të autorit, ai e prezanton personalitetin, grupin e njerëzve në formën e kukullave të cilat e kontekstualizojnë prezencën e personit në hapësirë, por pa ato/atë në kuptimin tekstual. Njerëzit e formuar në këtë mënyrë dhe të imagjinuar në grup, përmes qëndrimit, gjendjes, rrobave të tyre, e manifestojnë ndjenjën e cila mund të identifikohet në mënyrë të njëjtë me gjendjen e grupit në radhë, në kampe, në burgje, në spitale, në dhomat e pritjes dhe rrethana apo vende të ngjashme. Burimi primar i prezantimit të këtillë i grupit të njerëzve janë gjendjet e ndryshme të vrullshme dhe represive, të cilat i imponohen njeriut. Despotovski në këtë mënyrë i ndërlidhë vendet e përgjithshme të rraskapitjes së njeriut në humbjen e identitetit, kur me personin tjetër krijon një grup të papërcaktuar të njerëzve pa identitet. Ky prezantim i popullatës së gjerë, e cila origjinën mund ta ketë nga e kaluara ose e ardhmja, në një ngjarje të caktuar ose të pacaktuar, në mënyrë të njëjtë e potencon problemin i cili mund të shihet përmes periudhës rrjedhëse të tranzicionit në këtë rajon (përndjekje, radhë të gjata, pritje, uri, migracion, frikë, etj.). Megjithatë, ky fenomen është mjaft emblematik për njeriun, kudo qoftë ai, në vetëdijen kolektive. Çështjet e ekzistencializmit dhe ballafaqimit me njeriun i artikulojnë të gjitha veprat e tij ndërsa këto pasqyrime dominante të njerëzve- figurave-kukullave, në mënyrë alegorike dhe simbolike, e detyrojnë spektatorin që të identifikohet me ata dhe në këtë mënyrë ta rishikojë vendin e tij në shoqëri.
Dukuria e individit në formë të kukullës, si trup/figurë, e përcakton jetën e përditshme të njeriut bashkëkohor dhe kornizën e civilizimit të kushtëzuara nga ngjarjet historike. Modeli i kukullës, me elementet e saj themelore dhe mënyra e prezantimit, aludon në njeriun i cili e ka humbur integritetin e qenies shoqërore dhe është transformuar në masë reproduktive të qenieve të gjalla të devitalizuara.
Veprat e Goran Despotovski bëjnë pjesë në fushën e […] analizës kritike të “estetikës së relacionit” dhe ballafaqimit provokativ me efektet “rrëqethëse” dhe “perverse” të tjetërsimit të përshpejtuar të njerëzimit. […] “. Figurat, në formën e kukullave të shumta, synojnë të nxisin mendimin, të paralajmërojnë, të na analizojnë ne dhe reminishencën tonë, kështu që përmes tyre do të identifikohemi, do të konstatojmë se sa këta njerëz janë të lidhur me vendin, me ndonjë ngjarje të caktuar apo e kundërta.
Prezenca e temave tragjike dhe të rënda në veprat e tij, ku plotësisht mungon lumturia, komoditeti, kënaqësia, flet për aspektin e drejtpërdrejtë dhe rëndësinë e dëshpërimit i cili shpie në situata të pakëndshme, por edhe në hapjen e aspektit shpirtërorë, si realizim i pozitës në të cilën gjendemi. Kategoritë e jetës, frikës, fajit, përzgjedhjes, vuajtjes, vdekjes – janë tema qendrore në kuptimin ekzistencial, ku mund ta mbikëqyrim pozitën e një personi në shumë mënyra të ndryshme.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më datë 28 tetor, ndërkaq kuratore e projektit është Ana Frangovska.
…
Goran Despotovski ka lindur më 13 gusht të vitit 1972 në Vrshac, Serbi. Ka diplomuar në Fakultetin e Arteve Figurative dhe Aplikative në Beograd (1995); Në Akademinë e Arteve në Novi Sad, i ka kryer studimet themelore akademike (1999) dhe të magjistraturës për pikturë (2003), dhe e ka fituar titullin: Doktor i arteve – arteve figurative (2018). Është i punësuar në akademinë e njëjtë (nga viti 2004). Ai është zgjedhur si profesor ordiner, në fushën më të ngushtë artistike të pikturës (nga viti 2019). Ai është kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Vojvodinës (nga viti 2017). Ka ekspozuar në gjashtëdhjetë ekspozita personale dhe në disa ekspozita kolektive në vend dhe jashtë vendit. Është fituesi i një varg çmimesh në fushën e artit figurativ. Ai është autor i disa projekteve në kuadër të AUNS: Diferencat (2005–), Pikturë (2011–), Libri (2016), Hapësira digjitale për pikturën (2016) dhe projekte në kuadër të SULUV: SMIC. Forma lëvizëse (2019–), Zhvendosje në kod (2021–), etj.