Intervistë Perica Georgiev- Pepsi: Gjithsecili duhet ta shprehë veten, pavarësisht nëse është piktor apo jo

Share Button

“Unë ndiej tani se në Maqedoni do të ndodhë diçka e mirë, mbase do të vijë një krijim i ri nga piktorët e rinj, nga artistët e rinj”, thotë piktori Perica Georgiev-Pepsi, ekspozita e të cilit joformale dhome, me titull “Dhe në zjarrin sapo të lindë pranvera” është hapur në objektin “Çifte Hamam”, pranë Galerisë Nacionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.Në të shihen shtatëdhjetë piktura, ndër to riprodhime muralesh të grupit “Zero”, i cili zë një pjesë të konsiderueshme në punën artistike të këtij autori, CD me muzikën e tij, si dhe librat e tij.

Veçoritë: Ekspozita e parë individuale e Perica Georgiev – Pepsi është mbajtur në Shkup në vitin 1980, në Qendrën e atëhershme Rinore “25 Maji”, dhe veprat e tij janë paraqitur në ekspozita individuale dhe grupore në Sarajevë, Breda, Shtip, Kolonjë, Nuremberg, Boston, Sofje, Veliko Tërnovo, Bangkok, Kamboxhia …

Në fillim të vitit të ri 2022, po fillojmë një cikël të ri të ofertës së përmbajtjeve në fushën e kulturës, përkatësisht art figurativ.

Deri më tani ne praktikojmë parimet e punës muze-galeri sipas të gjitha standardeve të promovimit të një projekti të caktuar. Kjo përfshin prezantimin e autorit(ve)/përmbledhjes/koleksionit/konceptit drejtpërdrejt (on-site) ose virtualisht (on-line), përfshirjen në rrjetet sociale, një mjet për animimin masiv të audiencës dhe afirmimin e një projekti të caktuar. Vëmendje të veçantë i kushtojmë çështjes promovuese-edukative në njoftimet mediatike, e cila i drejtohet kryesisht medias dhe audiencës më të gjerë, dhe e cila përqendrohet tek grupe të ndryshme të synuara.

Siç u përmend më lart, këtë vit për çdo projekt, artist apo grup artistësh, koncepte kuratoriale, do të publikojmë një sërë intervistash. Nëpërmjet të intervistave do t’i ofrojmë mundësinë autorit dhe audiencës që të ndërtojnë sinergji, të njihen më afër me temën, motivin, provokimin dhe realizimin e një projekti të caktuar.

Për fillimin e këtij cikli ju prezantojmë intervistën me artistin Perica Georgiev – Pepsi të zhvilluar nga gazetarja Katerina Bogoevska.

Legjenda: Perica Georgiev – Pepsi në hapjen e ekspozitës “Dhe në zjarrin sapo të lindë pranvera” në “Çifte Hamam”

Legjenda: Veprat e Perica Georgiev – Pepsi në tempullin Angkor Wat

Pas sa kohësh ekspozoni sërish në Shkup dhe si e përjetuat me këtë rast vendlindjen nga ku u nisët për në Bullgari ku akoma jetoni?
– Nuk kam ekspozuar në Shkup rreth njëzet vjet, e ndoshta edhe më shumë. Isha vetëm për hapjen e ekspozitës dhe ndjeva një freski, entuziazëm në qytet, një etje për diçka shpirtërore, për liri, si një lloj zgjimi. Njerëzit duan më shumë liri tani, shumë më tepër se më parë, ndjeva se është aktivizuar një etje për shprehjen e tyre. U gëzova që të rinjtë erdhën në hapje, pata takime vërtetë interesante. U gëzova edhe për një grua të re, e cila është vajza e një studenteje që ishte foshnjë ndërsa ne ishim duke studiuar.

Mendoj se ishit të kënaqur që ekspozita po mbahet në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku dhe keni jetuar më herët. Atë hapësirë edhe keni frekuentuar si artist i ri, dhe këtu keni studiuar në Fakultetin e Arteve të Bukura
– Në Çarshi ndjehem si ne shtëpi, shumë natyrshëm. Pjesa më e bukur e Shkupit është pikërisht aty, me “Galerinë 7”, me galerinë “Çifte Hamami”, me Kurshumli Hanin, me Suli HaninNë “Galeria 7” më herët bënim performanca, pikturonim me Bedi Ibrahimin. Është ajo një hapësirë shumë interesante. Është interesante që në një arkitekturë të tillë të vjetër të periudhës otomane, shfaqet dhe një art i avangardës. Është interesant kombinimi i arkitekturës, e tërë atmosfera dhe avangarda, shprehja moderne.

Në hapje të ekspozitës ju luajtët flaute, në mesin e pikturave ka dhe CD me muzikën tuaj, libra me poezi dhe mendimet tuaja rreth Zenit, sufizmit, si dhe riprodhime të muraleve të grupit të famshëm joformal të artit “Zero” nga Shkupi, në të cilin keni qenë anëtar në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar. Si e shihnit nevojën për t’u angazhuar në artin underground në atë periudhë socialiste, kur u fitua liria e shprehjes, por edhe në vitet që pasuan?
– Ajo u bë e fshehtë sepse ne në atë kohë studionim në Akademinë e Arteve të Bukura dhe Vlladimir Veliçkovski sugjeroi që të bënim një ekspozitë në Muzeun e Maqedonisë, por ne si studentë nuk mund të ekspozonim dhe unë sugjerova që të ekspozonim si grup, pa emra, në mënyrë joformale.Dhe ja kështu filluam, i dhamë grupit emrin “Zero”, sepse, kush ishim ne atëherë – askush dhe asgjë, nuk kishim të drejtë të ekspozonim, underground (në fshehtësi).Pas formimit të “Zero”, lindi nevoja për të pikturuar në murin e “Galerisë 7”, në shkollën fillore “Tefejuz” dhe pikturonim falas.Disa nga profesorët e mi na kritikonin se po e prishnim reputacionin, biznesin e piktorëve (buzëqesh). Unë nuk u besova shumë për biznesin dhe plus disa piktorë punojnë madje dhe falas, sepse ne pikturonim falas. Thjesht thamë na blini brushat dhe bojën dhe ne do ta kryejmë punën, me entuziazëm.

Muralet e “Zero” akoma qëndrojnë në muret e shkollës fillore të Shkupit “Tefejuz” dhe në Qendrën Kulturore Rinore.I keni parë ndoshta kur ishit në hapjen e ekspozitës tuaj në “Çifte Hamam”?
– Atëherë nuk kisha kohë t’i shihja, por ato janë historike. Është interesante që ne nga “Zero” kishim vepra të përbashkëta, nuk kishte rëndësi nëse dikush na jepte para apo jo, por vetëm për të pikturuar, kështu luanim dhe interpretonim, kishim një nevojë të brendshme për shprehje. Në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në fakt u bë ringjallja e Çarshisë. Kafenetë dhe çajtoret punonin deri në ora tre, katër të mëngjesit, kishte njerëz gjatë tërë natës, ndryshe nga dikur, kur ajo mbetej e shkret kur binte errësira. Ishte kjo periudhë e një lloj ringjalljeje në një nivel më të gjerë. E mbaj mend si një kohë kur njerëzit ishin shumë më pozitivë, shumë më të hapur ndaj të tjerëve, kur çdo gjë ishte shumë më e lehtë.

Dhe si i interpretoni mënyrat tuaja të sotme të shprehjes artistike duke pasur parasysh faktin që ju e keni quajtur një cikël krijues të artit të vitit 2021 “Cyber Art”?
– Ky cikël “Cyber Art” është një lloj eksperimenti sepse është pikturuar me një program kompjuterik dhe është interesant për mua sepse gjej një lidhje me kompjuterin, ai është dikush me të cilin pikturoj! Unë do t’i them diçka dhe ai do të më thotë diçka dhe kështu bëjmë diçka bashkë (buzëqesh). Unë nuk jam kundër kompjuterëve dhe teknologjisë, mendoj se është në rregull, deri diku, varet se si e shikojmë atë. Natyrisht, asgjë nuk mund të zëvendësojë natyrën dhe njeriun, kompjuterët janë mjete ndihmëse, por njerëzit kanë krijuar kompjuterin dhe gjërat e tjera teknologjike dhe kjo gjë nuk është aq e frikshme. Unë nuk jam armik i teknologjisë edhe pse nuk jam ndonjë ekspert kompjuterësh, por në rregull është, nuk më pengon.

A ju shqetëson ndoshta ritmi i shpejtë i jetës në këtë shekull, duke ditur se u jeni drejtuar mësimeve dhe praktikave shpirtërore të Lindjes?
– Nuk më shqetëson ritmi i shpejtë sepse varet nga unë nëse do të mërzitem apo jo, nëse do të nxitoj apo jo (buzëqesh). Ne mund të mërzitemi, mund të nxitojmë, mund të bëhemi të pavetëdijshëm, por nëse njeriu mediton, nëse është i përqendruar në qetësinë e brendshme, në paqen e brendshme, në ndjesinë e brendshme të dashurisë, të qetësisë, të paqes, atëherë është në rregull, kjo nuk mund ta shqetësojë atë.

Kuratori i ekspozitës “Dhe në zjarrin sapo të lindë pranvera”, Goranço Gjorgjievski, ndër të tjera thekson se veprat tuaja janë “horizont shpirtëror në gjurmimin e dritës, fillimit dhe formësimit të përsosmërisë në të përsosurën…” Si e interpretoni këtë gjurmim tuajin?
– Mund të thuhet se kam pikturuar që kur kam qenë fëmijë dhe pothuajse nuk jam ndalur. Pra, ky gjurmim është në të vërtetë një kërkim për realitetin e fshehur. Ky realitet që ne shohim është një realitet, ka një realitet që është brenda nesh, ka një realitet më të lartë që shumë pak njerëz e zbulojnë. Në këtë gjurmim të këtij realiteti të brendshëm shprehesh në mënyrë që diçka të dalë nga brenda jashtë, tregon gjendjet e tua të brendshme dhe kështu hapet një hapësirë për të krijuar një gjerësi brenda teje, një dritë të pafund. Përjeton brenda vetes një dritë të pafund, një paqe të pafund, një gëzim të pafund. Atëherë ndje se je një me këtë univers, me gjithçka që ekziston.Çlirohesh nga frika dhe lakmia, zemërimi dhe të gjitha emocionet që na shqetësojnë ne njerëzit, demonët tanë të brendshëm, si të thuash. Frika, mllefi, urrejtja, pra të gjitha emocionet negative duhet t’i shfaqim, të mos i fshehim nga vetja dhe nga të tjerët. Duhet të bëhemi të vetëdijshëm se janë brenda nesh dhe t’i lëmë të largohen. Të mos u lidhemi shumë atyre, se kjo nuk është e vërteta. Ne nuk jemi një zemërim, nuk jemi një frikë, nuk jemi njerëz të këqij. Ata janë si mysafirë, vijnë, i përjetojmë, OK, u japim një filxhan çaj dhe – mirupafshim. Të gjitha këto duhet të shprehen, të ndërgjegjësohen, për të arritur një dritë, një qetësi të brendshme, një dritë të brendshme në të cilën njeriu mund të jetë i qetë. Të jetë në gjendje të jetë i qetë, të meditojë në këtë qetësi, në këtë dritë dhe të përjetojë unitetin e vet këtu dhe kështu të realizojë veten. Të gjejë paqen, qetësinë, dashurinë, sepse ato gjëra i bartim brenda nesh.

Në njëzet vitet e fundit keni ekspozuar në disa vende, por më së shumti në Bullgari. Si jeni pritur nga publiku vendas, nga artistët bullgarë, në cilin qytet keni ekspozuar më shumë?
– Në Bullgari kam ekspozuar në Pllovdiv, i njohur si qyteti i piktorëve dhe në shumë qytete të tjera, por me ekspozita kam qenë më së shumti i pranishëm në Sofje. Kam një ide për një projekt të madh që dua të realizohet, njerëzit të pikturojnë së bashku në pëlhura të mëdha, qofshin piktorë apo studentë. Të pikturojmë së bashku, që të mësojmë të jetojmë së bashku! Mendoj se kjo gjë do të ishte shumë interesante. Besoj se gjithsecili duhet ta shprehë veten, pavarësisht nëse është piktor apo jo. Kam bërë edhe të tilla projekte në Bullgari, me fëmijë. Tek fëmijët është një pafajësi, pastërti në shprehjen e tyre. Unë jam adhurues i pikturave të fëmijëve. Ne të rriturit, duhet ta gjejmë këtë pafajësi, këtë pastërti brenda vetes. Në Bullgari ka kulturë, ka gjurmim, njëjtë si dhe në Maqedoni, si dhe anembanë. Njeriut shprehen. Ndiej tani se në Maqedoni do të ndodhë diçka e mirë, mbase do të vijë një krijim i ri nga piktorët e rinj, nga artistët e rinj.

Ju jeni prezantuar në një ekspozitë të pavarur në Bangkok në vitin 2019. Çfarë përshtypjesh do kishit mundur, nëse dëshironi, t’i ndanit nga kjo ngjarje?
– Unë personalisht nuk udhëtova për në Bangkok, disa miqtë e mi kanë vendosur të zhvillonin ekspozita atje. Kisha dy ekspozita në vende interesante, të cilat janë parë nga shumë njerëz. Por ka një ekspozitë tjetër, një shfaqje që nuk e di nëse është shkruar fare për mua, e cila u zhvillua në tempullin antik të Angkor Wat, në Kamboxhia, në dhjetor 2019. U organizua edhe nga miqtë e mi të cilët prezantuan piktura të miat dhe më sollën disa fotografi shumë interesante nga atje. Ai tempull ka qenë një frymëzim për mua që në shkollën fillore, në orët e gjeografisë. U mahnita kur e pashë për herë të parë në një fotografi që e mbajta për një kohë të gjatë dhe është interesante që pas kaq vitesh pikturat e mia u ekspozuan pikërisht aty. Ndoshta kjo koincidencë me Angkor Wat, ajo marrëdhënie, nuk është e rastësishme. Është ajo një hapësirë që harmonizon, që ofron paqe!

Katerina Bogoeva

Share Button