Vasko Tashkovski – Ekspozita në objektin Hamami i Daut Pashës
ISH Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë të lajmërojë ekspozitën retrospektive të akademikut Vasko Tashkovski, përfaqësues kryesor i surrealizmit, pikturës fantastike, temave ekologjike dhe kozmike në artin figurativ maqedonas, me një afirmim të gjerë në Ballkan, në Evropë dhe në botë.
Sipas shumicës së bashkëkohësve, kontributi i Vasko Tashkovskit në artin bashkëkohor maqedonas që nga fillimi i krijimtarisë mund të dallohet nëpërmjet ndjekjes së një rruge të heshtur dhe modeste, e cila i mundësoi që të transkriptonte në vazhdimësi shkrimin e tij nëpërmjet pikturës, e cila është klasike për nga struktura plastike, por njëkohësisht dhe surrealisto-fantastike në kuptimin poetik, me një lloj vizatimi të përpiktë dhe një paletë të pasur tonesh. Konkretisht, veçantia apo karakteri dallues i krijimtarisë së tij shumështresore në vetvete, por edhe në raport me rrethanat konkrete historike, qëndron tek hulumtimi i tij i pareshtur i këtyre vizioneve surrealo-fantastike, duke i parë ato si një sfidë. Ky vetëpërcaktim i mundëson që të ketë gjithnjë tema të reja të cilat e bëjnë të njohur si fenomen i veçantë i pikturës bashkëkohore maqedonase.
Sa i përket rëndësisë së Tashkovskit jashtë kornizave të shtetit tonë, është e nevojshme të përmendet se ai është autori i vetëm maqedonas (në atë kohë një nga dy piktorët e Jugosllavisë të përfshirë në këtë edicion), që është paraqitur në edicionin “Piktorët e fantazisë (nga Hieronimus Bosch deri te Salvador Dali)”/ “Painters of fantasy (from Hieronimus Bosch to Salvador Dali)“ të vitit 1974, botuar nga Phaidon, me zgjedhjen e William Gaunt. (William Gaunt, Piktura fantastike nga Hieronimus Bosch deri te Salvador Dali, Phaidon, Londër, 1974, dhe Grafički zavod Hrvatske.
Duke nisur nga peizazhet e para misterioze asociative surreale të dehumanizuara, të imagjinuara si një shkretëtirë metafizike pas një katastrofe, ai kalon drejt mistereve fantastike të shumëkuptimta të hapësirës së nënvetëdijes psikologjike, ndërsa obsesioni me të kaluarën e afërme dhe të largët dhe raporti profetik ndaj të ardhmes lidhet me temën njeri në qytet, shkretërira dhe peizazhi, gjegjësisht me raportin e tij të agazhuar dhe ndikimin mbi natyrën. Vizioni piktural i Vasko Tashkovskit fokusohet në zhytjet njerëzore në hapësirë, ëndërrimet dhe vizionin, arratisjen nga koha neurotike drejt peizazheve të imagjinuara tridimensionale me së shpeshti me një horizont të hapur, me qiell dhe tokë në prapavijë, ndërsa në plan të parë janë vendosur struktura në formën e rrënojave, tempujve të vjetër, oazeve ekzotike fluturuese, në kombinim me struktura mekanike biologjikisht të teknicizuara.
Ndikimet dhe reflektimet nga surrealizmi dhe fantastika, autori i transformon në një gjuhë autoktone me elemente specifike të prezantuara nëpërmjet më shumë disiplinave të artit figurativ: pikturës, akuarelit dhe vizatimit, me një numër mahnitës të veprave: rreth 1.000 piktura në teknikë vaji, mbi 3.500 akuarele, mbi 1.000 vizatime, e më pas dhe grafika, skenografi dhe mbi 12.000 skica ideore të punuara në përditshmëri në mënyrë të disiplinuar.
Vasko Tashkovski ka lindur më 31 gusht 1937 në Nizhepole, Manastir. Shkollën e mesme artistike e ka përfunduar në Shkup në vitin 1958. Ka diplomuar në Akademinë e artit të aplikuar në Beograd në vitin 1964. Nga 1966 deri 1991 ka punuar si skenograf në Televizionin e Maqedonisë. Përveç pikturimit me teknikë vaji, ka punuar edhe me akuarel, vizatime dhe grafika. Ka relizuar mbi 50 ekspozita të pavarura, ndërsa ka marrë pjesë në më tepër ekspozita grupore brenda dhe jashtë shtetit. Është fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve, mes të cilave edhe Çmimi i SUBNOR “4 korriku”, Beograd (1977), Çmimin e tetorit të RMV, Shkup (1978), Medaljen e punës nga Presidenca e RSFJ.Beograd (1980) etj. Në vitin 1994 bëhet anëtar korrespondues në ASHAM.
Ekspozita do të jetë e hapur në 21.10.2021 (20 orë) në objektin Hamami i Daut Pashës, ku do të paraqiten piktura, akuarele dhe vizatime nga të gjitha fazat krijuese të autorit.