120 vjet nga lindja e Tomo Vlladimirskit, themeluesit të modernes maqedonase

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’Ju informoj për hapjen e ekspozitës sonë programore Jubile me rastin e 120 vjetorit të lindjes së Tomo Vlladimirskit, e përurimi i saj është caktuar për 5 shtator 2024, e enjte, në Hamamin e Daut Pashës, në ora 20:00.
Tomo Vlladimirski është një prej themeluesve të modernizmit maqedonas në artin figurativ. Modernizmi maqedonas, themelet e të cilit u hodhën nga disa përfaqësues të gjeneratës së parë themeluese të artistëve të arsimuar maqedonas, fillon të ndiqet nga fundi i dekadës së dytë dhe të tretë të shekullit të kaluar, përmes aktiviteteve dhe ekspozitave që fillojnë të sjellin “frymën e re” moderne e shoqërive të zhvilluara evropiane, i zbatuar përgjithësisht përmes bashkëpunimit aktiv me fqinjin verior . Asaj gjenerate, të cilën e udhëheqin Nikolla Martinoski, Llazar Liçenoski, Dimitar Pandillov-Avramovski, Dimo Todorovski, Vangell Koxhoman e të tjerë, i bashkohet me vonesë të vogël edhe Tomo Vlladimirski. Karakteri i tij i qetë dhe i paimponueshëm, nervi i moderuar dhe i përkushtuar artistik, disiplina dhe modestia kontribuojnë që Vladimirski të lë gjurmën e tij autentike në historinë e modernizmit maqedonas. Ndjeshmëria e tij artistike cilësore është vërejtur dhe vlerësuar lart nga bashkësia kritike vendase dhe ndërkombëtare.
Me këtë rast, me rastin e shënimit të jubileut, vendosëm të vëmë theksin mbi vulën dhe njohjen e tij të vërtetë, atë korpus të syzhesë me të cilin Vlladimirski ka lënë gjurmë të pashlyeshme në brezin themelues modern maqedonas, e ai është peizazhi dhe ngjyra e tij specifike maqedonase. Vlladimirski është poet i peizazhit maqedonas, piktor i cili ka ditur ta shndërrojë bukurinë e peizazheve maqedonase në vepra të bukura. Njëkohësisht, ato janë edhe një dëshmi për raportin e njeriut me natyrën, që ndryshohet me shpejtësi në konstelacionin e zhvillimit të planetit tonë ku dominon njeriu – periudha e quajtur Antropocen. Me krijimtarinë e tij ai la vlera të përhershme që janë pjesë e pasurisë kulturore kombëtare, si pjesë e rëndësishme e zhvillimit të modernizmit maqedonas në artin figurativ.
Ekspozita është përgatitur nga kustosja jonë këshilltare, dr. Ana Frangovska dhe do të jetë e ekspozuar në hamamin e Daut Pashës gjatë gjithë muajit. Në të janë vendosur rreth 70 vepra në teknikat vaj në pëlhurë dhe dërrasë, të cilat janë në pronësi të familjes së Vladimirskit, si dhe të një numri të madh pronarësh privatë dhe admirues të veprës së Vlladimirskit. Në ekspozitë, përveç veprave artistike, do të ekspozohet edhe material dokumentar, i cili do të prezantojë personalitetin dhe rëndësinë e Vlladimirskit, si dhe një realitet augmentativ, përkatësisht të animuar, me ç’rast do t’i japim vetë projektit një dimension multimedial dhe ndjesi të ndryshme.