Ekspozitë personale nga Kamuran Goranci – KOD4

Ju ftojmë përzemërsisht në hapjen e ekspozitës personale të Kamuran Gorancit në objektin Çifte Hamam më datë 05.09.2024 në ora 19:00.
Do të ekspozohen 22 vepra të punuara me teknikën akril në pëlhurë, të cilat janë punuar në periudhën 2020-2024.
Pikturat kanë një evoluim teknik nga ekspozitat e tij të mëhershme “Kod 1” në Köln të Gjermanisë, “Kod 2” në Galerinë e Tiranës në Shqipër, dhe “Kod 3” në Galerinë e Shkodrës në Shqipëri si dhe tani këtë personale të konceptuar “Kod 4” në Galerinë Nacionale të Maqedonisë së Veriut, një sofisikim të mjeteve shprehëse dhe një tentativë për filozofim.
Një ngjarje artistike në qendrën e Shkupit, ku shohim mbi shpatulla traditën dhe komunikimin bashkëkohor, një rol mjaft të rëndësishëm në emrin e individualitetit të tij krijues.
Në të shumtën e rasteve piktura është analizë gramatikore, kompozim dhe në të njejtën kohë shpërbërje e atyre mjeteve që i janë besuar historikisht artistit për të manifestuar veten ku eksperienca krijuese dhe jetësore ka ushqyer vazhdimisht ndër vite dhe ka ruajtur me pasion dhe dashuri pasurinë kromatike.
Ngjyrat në këto kompozicione janë pastuoze, të gurëzuara, të hedhura andej-këndej, ku shprehet një gjendje ekspresive. Pra, në këto raste paraqiten disa pamje ekspresioniste abstrakte, por me një baraspeshë të dritës dhe errësirës së ngrohtë dhe të ftohtë, me forma dhe ngjyra të zhveshura e të çuditshme. Në këto piktura, nga periferia e sferës së ngjyrave kalohet në sipërfaqe ku teknika e realizimit duket e rëndësishme. Ato realizohen me maksimumin e mjeteve shprehëse, vizatimi shkon në kufijtë e mosqenies, për të theksuar prezencën e vlerës të së bukurës në një ambient të zhytur në kaos, në dinamizëm.
Të gjitha pikturat në këtë rast solemn janë të punuara mbi ndjeshmërinë dhe harmoninë të cilat tani janë të pranishme dhe të koduara nga aspekti artistik, duke fiksuar përfundimisht realitetin, imazhet dhe emocionet e tij në strukturat e ëndërrave të tij. Ai komunikon me dashuri një imazh universal, që ndodhet larg ekzistencës sonë, si diҫka më e largët e të panjohurës me të njohurën, me një mënyrë figurative, të thjeshtë dhe premtuese.
Për të ngrirë në to marrëdhënie delikate mes ngjyrave, në një shprehje specifike, duke ndjekur kërkesën për imazhe të reja më tërheqëse për të ndërhyrë në botën e padukshme, e cila gjithmonë shoqërohet me një limit, e që shfaqen si shpërthime të fundme të një hapësirë marramendëse, por jo si ato të gjithësisë. Ajo çfarë të tërheq në konstruktin kompozicional është, pa dyshim, trajtimi i formësimeve logjike.
Nëpërmjet saj krijohen kompozime monumentale, ku detajet dhe masat më të medha zgjidhen duke zvogëluar e zmadhuar gjurmët koloristike. për të parë më tej trajtime më specifike në rikompozimet e tyre.
Zeni Ballazhi, kurator