“Retrospectivë e fotografisë abstrakte” të Osman Demirit

Share Button

Provokimi i zbulimit të papërfunduar
Drejtë retrospektivës së shkurtër kushtuar fotografisë abstrakte të Osman Demirit

osman demiri

Fotografia abstrakte, jo objektive, eksperimentale ose ndryshe e njohur edhe si fotografi konceptuare, është një mjet i krijimit të fotografive vizuale dhe dramatike që mbështetet mbi sensacionet primordiale të formës, ngjyrës, lakesës, më shumë se vet kuptimi. Ajo nuk manifeston lidhshmëri të drejtpërdrejtë me subjektin në përpikshmëri ose me botën e objektit, por krijmtaria varet nga pajisjet e mirëfillta fotografike, më pas nga proceset dhe materialet, por para se gjithash nga koncepti. Fotografia abstrakte mund të izoloj një fragment nga skena natyrore, me qëllim që ta mënjanoj kontekstin e tij esencial për vrojtuesin, dhe kjo mund të realizohet qëllimisht që të krijohet një pamje joreale e sendeve reale, ose një proces i tillë mund të përfshij edhe shfrytëzimin e ngjyrës, dritës, hijes, teksturave, formave dhe / ose formës që të bartet emocioni, sensacioni ose përshtypjet.

Fotografia mund të gjenerohet me shfrytëzimin e pajisjeve tradicionale fotografike siç është kamera, oda e errët ose kompjuteri, në raste të tjera ajo mund të krijohet pa shfrytëzimin e kamerës me manipulime të drejtpërdrejta të filmit, letrës ose mediumeve tjera fotografike, duke i përfshirë këtu edhe prezantimet digjitale.

Osman Demiri është një fotograf bashkëkohorë i yni, i cili filloi ta pushtoj skenën fotografike maqedonase me zgjidhjet e veta inventive që karakterizohen me një estetikë të jashtëzakonshme të prezantuar përmes fotografive abstrakte, përkatësisht konceptuare. Demiri e hulumton fotografinë gjatë tërë jetës së tij, fotografinë e vrojtuar nga objektivë të ndryshëm, me motive të ndryshme, interesa dhe prerogativë të natyrës tekniko – teknologjike. Artisti merret edhe me fotografinë dokumentuese, me fotografinë fotografike dhe me atë objektive, por mund të sajohet konkludimi se artisti ndjen sigurinë më të madhe dhe i realizon përafrimet më të suksesshme me artin figurativ, saktë përmes fotografisë abstrakte. Demiri deri më tani ka krijuar një fond të madh të fotografive konceptuare të cilat i ka grupuar nëpër seri dhe cikle, gjë që dëshmon se ai synon dhe krijon në mënyrë sistematike dhe kuptimore, dhe se nuk udhëhiqet nga instinktet dhe spontaniteti.

Te Osman Demiri, magjia e së panjohurës, në çaste të caktuara gjeneron shfaqje të cilat i ngjasojnë pëlhurave pikturale me parashenja të enformelit, op – artit ose me nuanca surreale, në një bashkëjetesë të ngjyrave, formave dhe dritës gjë që rezulton me zgjidhje të mrekullueshme të pllakateve – dizajnit, kurse te disa fotografi tjera mund të vërehet aura e pastër konceptuare që ngërthehet me një sinkretizëm asociativ bartës. Demiri nuk shfrytëzon përpunime kompjuterike dhe nuk shërbehet me magjinë e transformimeve elektronike dhe me transmetime, por te ai të gjitha shfaqet fitohen nga dora e parë, me aparatin digjital ose manual pa përpunime shtesë.

Vija dhe forma së bashku me zgjedhjen e shkëlqyer të sekuencës së selektuar, gjenerojnë sensacionin i cili sipas nevojës karakterizohet me vëllime të theksuara dhe me përmbajtje tredimensionale, kurse te zgjidhjet tjera mund të vërehet preciziteti i ngrirjes së fragmentit i cili ofron dy dimensionalitetin e pllakatit, dhe fitohet përshtypja se format janë përgatitur me ndihmën e programeve dhe veglave kompjuterike. Vija, në varësi nga tërësia ideore drejtë së cilës synon Demiri, në rastet konkrete gjeneron një “gjeometri të re” të shfaqjes, ose nga ana tjetër vijën e lakuar, gjarpëruake, butësi surreale të imazhit, që rezulton me sinkretizime të reja ideore dhe asociacione që nuk kanë asnjë pikë prekje me objektin burimorë, por si të tilla janë aglomeracione të pavarura artistike.

Drita dhe hija, edhe pse elemente esenciale të fotografisë abstrakte marrë në përgjithësi, edhe te Osman Demiri janë konkrete dhe esenciale gjatë krijimit të dramatikës, gjatë apostrofimit të formës, ngjyrës, teksturës së objekteve të përfshira në vet shfaqen artistike. Këto elemente e formësojnë përmbajtjen dhe “likuiditetin” e imazhit. Zbatimi i dritës pa hijet, nuk posedon kurrfarë rëndësie. Hijet nuk paraqesin një masë të thjeshtë të errët që do të kufizohet me dritën. Përkundër, hijet janë subjekte të gjalla, njësoj sikur edhe drita. Hijet e formojnë dritën, ato e fokusojnë vëmendjen e dritës. Me hijet krijohet një lojë plotësuese vizuale që ofron sensacionin, format gjeometrike ose transferimet dhe kompozimet hapësinore. Përmes hijeve krijohet aura e veprimit të prolonguar dhe sukcesiviteti, si dhe paralajmërimi i procesit pasues, përkatësisht aktorët e dinamikës.

Nga ana tjetër, tekstura, vetvetiu si parim, është e emfazuar me ndihmën e formës, hijes dhe dritës dhe gjithsesi ngjyrës. Ajo te Demiri, luan një rol tejet të rëndësishëm gjatë finishimit vizual. Është më se evidente, se ngjyra paraqet një prej parakushteve më esenciale për përkufizimin e ekspresionit vizual te autori ynë dhe me të mundësohet formimi i zgjidhjeve artistike figurative si ekzemplare të fotografisë së enformelit, të ngjashme me “pikturën e materies”.

Ngjyra kap vrullshëm vëmendjen e stimulon sistemin perceptues të vrojtuesit. Nga ana tjetër, ajo shërben që të ndaloj vëmendjen e tij një periudhë më të gjatë kohore. Nëse sytë e shikuesit shëtisin, ngjyra manifeston tendencën që ta rikthej vëmendjen prapa. Demiri i shfrytëzon ngjyrat e ngopura ose intensive, në varësi nga qëllimi i synuar. Në disa raste, akromatizmi (bardh – zi, ngjyrë hiri) dominon në llogari të teksturës dhe intensifikimit të dritës – hijes, kurse në raste tjera shfaqja intensive monokromatike është esenciale për arritjen e idesë. Ngjyrat kontrastuse, autori i shfrytëzon që ta zmadhoj dramatikën e fotografisë.

Abstrahimi dhe emfazimi, si dhe blurimi dhe mprehja, janë teknikat fotografike të cilat më shpesh shfrytëzohen që të arrihet koncepti i synuar dhe ideja në përgjithësi. Te Osman Demiri, këto mekanizma në realizimet fotografike janë mjaftë të shpeshta, së bashku me zmadhimin, përkatësisht me makro fotografimin. Dramatika kompozuese, gjatë realizimit të qendrës fokale, me ndihmën e mprehtësisë dhe qartësisë, është e theksuar përmes abstrahimit dhe mjegullimit të pjesëve tjera të tërësisë së kompozicionit, të plotësuar me kontraste kolorite ose me oponencë teksturale.

Këto deskripcione të përgjithshme lidhur me angazhimin krijues të artistit Osman Demiri, paraqesin kualifikimet specifike të “vjeruju”-së së tij fotografike në fushën e fotografisë abstrakte dhe si të tilla shfaqen në të gjitha ciklet dhe variacionet fotografike të artistit, në varësi nga diskursi fillestar lidhur me atë se cili është motivi themelorë i gjenerimit të ndonjë tërësie konceptuare. Në veprën “Sekreti”, theksi i vihet mistikës së kompozimeve, që ofrojnë asociacione të fshehura e që krijojnë distanca mistike në raport me të “vërtetën”. Vet titulli “Drita dhe hija”, paralajmërojnë interesimin tejet dominues në lidhje me këtë tërësi konceptuare, dhe kjo është loja vizuale dhe emfazimi me ndihmën e theksimit të kontrastit të shkaktuar nga bashkëngjitjet specifike të detajeve ose fragmenteve të dritës dhe hijes, mbi ndonjë motiv të caktuar. Dinamika dhe ritmika në këto fotografi është më se e theksuar, si dhe lineariteti me të cilin ofrohet fokusimi i interesimit në veprën konkrete. Te vepra “Ëndrrat e kuqe”, dominon nuanca e tonalitetit të kuq, me të gjitha nuancat përcjellëse të saja. Format, elementet tjera dhe parimet, janë të shfrytëzuara në favor të koloritit. Në veprën “Dialogu dhe kompromisi”, gjithashtu dominon vija që përcakton impaktin abstrakt, por edhe balancin në mes formave dhe trajtave, kontrasteve, dritës dhe hijes, tesktura është në nivel të dialogut ose arritjes së kompromisit dhe harmonisë së elementeve.

Si specifike manifestohen disa kolazhe të pastra konceptuare, të organizuara përmes një sukcesiviteti kauzal e të plotësuara përmes një asociacioni i shkurtër tekstual, që recipientit i ofron drejtime të ndryshme të interpretimit të veprës, gjë që haset në disa prej cikleve artistike.

Në veprat e Osman Demirit, formohen simulakrume, në vend të prezantimeve reale dhe gjatë kësaj dominon aspekti shpirtërorë. Edhe pse disa prej elementeve vizuale, kanë efektin e së njohurës, efekti final është dinamik dhe tërësisht abstrakt. Këto fotografi sfidojnë vrojtuesin që të lexoj prapa shfaqjes, kurse poetika dhe format universale i iniciojnë senzorët emocional.

Duke implementuar “Vizionin e ri” në suaza të fotografisë, Moholi Nagj ka shkruar: “… nuk mund të thuhet thjesht se është e parëndësishme se vallë fotografia krijon “art” ose jo. Ligjet e saja fondamentale, dhe jo mendimet e kritikëve të artit, do ti furnizojnë të gjitha metodat bazike për ta dëshmuar vlerën e saj të ardhme.” Ky “vizion i ri” në suaza të fotografisë, jo vetëm që është dëshmuar si tejet i rëndësishëm dhe me vlerë për zhvillimin e fotografisë bashkëkohore, por akoma krijon simulakrume të reja dhe versione të reja, siç është rasti ynë me shembullin e Osman Demirit, , që dëshmon në përgjithësi impaktin artistik të fotografisë në artin bashkëkohorë figurativ.

__________________________________________________

Share Button