Demir Behluli në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë
Me kënaqësi pranuam që ta realizojmë ekspozitën e autorit Demir Behluli në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin e Çifte hamamit, meqenëse bëhet fjalë për një autorë të frytshëm me prejardhje shqiptare i cili ka lindur në Preshevë, kurse jeton në Kosovë, por me Maqedoninë atë e bashkon përfundimi i arsimit në shkollën normale “Liria” në Shkup, me ç’rast mësimet nga fusha e artit figurativ do ti mësoj nga doajenët Spase Kunovski dhe Vanço Gjorgievski, këta të fundit do të lënë vule të fuqishme mbi zhvillimin e tij të ardhshëm kreativ.

Behluli ka përfunduar shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, në drejtimin e artit figurativ, kurse ka specializuar në lëmin e dizajnit të tekstilit në Austri. Me këtë ekspozitë, që ka karakter retrospektiv, autori feston jubileun – 75 vjetorin e lindjes dhe 58 vjetorin e ekspozitës së parë të pavarur.
Demir Behluli është një artist që dallohet me shprehje të fuqishme artistike, por edhe me shprehje gojore në trajtë të poezisë dhe prozës. Në domenin e repertorit të artit figurativ, Behluli dinë të ngacmojë edhe sferat reale të shprehjes artistike, por edhe të shprehet në mënyrë ekspresive, impulsive dhe në mënyrë moderne. Portretet klasike foto – realistike përmes peizazheve surrealiste kalojnë në zgjidhje të fuqishme figurative me elemente të grafikës anksioze, që sajohen me kroki solucione. Aftësia e tij për eksperimentime dhe për punë me teknika dhe stile të ndryshme, më pas lëviz në domenin e dizajnit, dizajnit të tekstilit (perdet), dizajnin e librave, katalogëve, kuranëve, pllakateve, flamujve, arabeskave dekorative nëpër xhamitë e deri te piktura murale të motiveve krishtere të sajuara nga bibla e të prezantuara nëpër kisha. Autori dallohet me përvetësim të shkathtësive artistike për të gjitha mediumet dhe teknikat e shprehjes artistike figurative, duke filluar prej lapsit, temperës, ngjyrave të vajit, bojës së shkrimit, akuarelin, teknikat grafike etj.
Artisti ynë prapa vetes ka një biografi mjaftë të pasur që karakterizohet me numër të madh të ekspozitave të pavarura dhe grupore, të realizuara brenda vendit dhe në shtetet e huaja. Ai ka botuar 18 libra me poezi dhe rrëfime, për të rritur dhe fëmijë. Autori ka stolisur mbi 43 xhami dhe një teqe. Përskaj mediumeve klasike artistike, ai do të shprehet edhe në mediumin e stripit, skenografisë, ilustrimet, rebuset, vizatimet enigmatike, vinjeta, intarzitë etj.
Një pjesë të poli dimensionalitetit të këtij artisti do të ekspozohet edhe në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, me synim që publiku ynë të mund të fitoj një spektër më të gjerë të njohurive për mundin e autorit por edhe për përkushtimin e tij që i dedikohet artit.
Halide Paloshi, drejtor









