Ekspozita personale e artistit figurativ Sinisha Noveski në Republikën e Kroacisë

Share Button

Në Qendrën Informative Kulturore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zagreb, më 23 maj 2024 do të realizohet ekspozita personale e artistit Sinisha Noveski me titull “Misteri dhe Individualizmi”. Ekspozita realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Në hapësirën ekspozuese të qendrës informative do të prezantohen 12 skulptura, ndërsa në hapjen zyrtare të ekspozitës e cila është caktuar për në orën 20:00 do të mbajë fjalim prof. dr. Milaim Fetai, ambasador i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë, Natalia Popovska, drejtoreshë e Qendrës Informative Kulturore në Zagreb, prof. dr. Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Nacionale dhe Maja Kërstevska, kustose e lartë në Galerinë Nacionale. Për publikun kroat, pjesëtarët e diasporës maqedonase dhe të gjithë artdashësit e tjerë, do të jetë në dispozicion deri më 30 maj 2024. Kjo ekspozitë e plotëson kalendarin e pasur të evenimenteve në vitin 2024 në fushën e diplomacisë kulturore të Galerisë Nacionale. E vërtetojmë bashkëpunimin e shkëlqyer me Republikën e Kroacisë, duke kontribuar në marrëdhëniet kulturore maqedonase-kroate.

Autori do të thotë për veten e tij: “Për mua bukuria nuk është ajo që e shihni kur shikoni një skulpturë, por ajo që ndjeni”. Nuk ka rregulla në art dhe nuk ka as proces të përcaktuar rreptësisht për krijimin e skulpturës. Artisti është mjeshtri i vetes dhe e krijon botën e tij si të dojë dhe siç e njeh.

Si student kam punuar me modele dhe jam fokusuar te realizmi. Kështu kërkonin profesorët nga ne, që t’i mësojmë bazat e skulpturës. Në vitin e katërt të studimeve na u dha detyrë për të krijuar një skulpturë në stilin tonë. Kjo ishte tepër e vështirë, jo vetëm për mua, por edhe për çdo student – të gjejë diçka origjinale dhe kreative. Skulpturat e mia të para ishin prej mermeri dhe druri, si skulpturat e profesorëve të mi, por nuk më pëlqente të punoja me këto materiale, ishin shumë kufizuese për mua. Më pas, një ditë, teksa isha ulur në hapësirën time të punës, i rrethuar me mbetje metali, druri dhe guri të mbetura nga skulpturat që kisha bërë, më lindi ideja të pastroj hapësirën duke marrë të gjitha mbetjet dhe duke i shndërruar në skulptura. Ky ishte fillimi i punës sime origjinale. I përdora këto pjesë për të formuar një skulpturë të frymëzuar nga “folklori” maqedonas – veshje tradicionale, valle dhe këngë. Më pëlqeu gjithashtu ideja që këto skulptura janë ekologjike, duke i shndërruar mbeturinat në diçka të bukur dhe të qëndrueshme.

Pas përfundimit të arsimit akademik në vitin 2002, fillova të fokusohem më shumë në hulumtimin e formës njerëzore. Ekspozita ime e parë personale, e frymëzuar nga puna e disa prej skulptorëve më të mëdhenj dhe bukuria e formës femërore, përbëhej nga figura femrash, të cilat i skalita në baltë dhe më pas i derdha në polimer. Me kalimin e kohës, figurat njerëzore vazhduan të më jepnin frymëzimin tim më të madh, por puna ime bëhej gjithnjë më e stilizuar, fillimisht me forma të qarta dhe të pastra që bartin një mesazh të veçantë, e tani, në veprën time të fundit, me interpretime më ekspresive, surreale. Seriali im “Çiftet” i krijuar në vitin 2012, u fokusua në lidhshmërinë reciproke të gjërave, siç janë Urtësia dhe Kurreshtja” ose “Babai dhe fëmija.
Vetë titulli i ekspozitës “Misteri dhe Individualizmi” nuk është i rastësishëm. Gjatë pandemisë, pasi gruaja ime, vajza dhe unë ishim si një botë për veten tonë, familja në mënyrë të pashmangshme u bë një temë dominuese në punën time. Çdo skulpturë e re u bë jo vetëm një eksperiment në stil, formë dhe material, por edhe një hulumtim i afërsisë dhe distancës, fizike dhe emocionale”, ndau autori me kuratoren e projektit, Maja Kërstevska, kustose e lartë në Galerinë Nacionale.

Një numër i madh i skulpturave të Sinisha Noveskit janë të ekspozuara në hapësira publike dhe janë pjesë e koleksioneve private në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Serbi, Bullgari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka ekspozuar në më shumë se njëzet ekspozita personale dhe në më shumë se 30 ekspozita grupore. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Maqedonisë, anëtar aktual i Këshillit të Artistëve, si dhe i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Serbisë. Ka marrë pjesë në më shumë se dhjetë koloni dhe simpoziume artistike, ka fituar po aq çmime si për krijimtarinë e tij artistike ashtu edhe për punën mentoruese dhe pedagogjike me studentët.

Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut

Share Button