Ekspozita retrospektive – 30 vjet krijimtari e artistit figurativ Nehat Beqiri
Është kënaqësi e veçantë të jesh organizator dhe mikpritës i një projekti në të cilin janë sublimuar vitet e punës, kërkimit dhe zhvillimit personal në fushën e shprehjes artistike.
Bëhet fjalë për “Ekspozitë retrospektive – 30 vjet krijimtari” të artistit figurative dhe profesorit universitar Nehat Beqiri. Ekspozita do të vendoset në ambientet e Çifte hamamit, ndërsa në hapjen e planifikuar për 22 dhjetor 2022 (e enjte) do të flasë drejtoresha e Galerisë Nacionale, Dr.Dita Starova Qerimi, në orën 19.00.
Piktura kumbuese dhe dinamike e Nehat Beqirit
Duke ndjekur drejtimin e tij zhvillimor artistik, Nehat Beqiri llogaritet ndër artistët më aktivë dhe më konsistentë në vendin tonë, themelet e zhvillimit krijues të të cilit shihen që në fillime, me përkushtimin e tij ndaj mundësive të pakufishme shprehëse që ofron piktura abstrakte. Ne e njohim këtë autor veçanërisht nga sinqeriteti i gjestit me të cilin ai krijon vepra, ku ngjyra dhe vija dominojnë si entitete themelore dhe të pandashme dhe është kjo sinergji e përgjithshme që rezulton gjithmonë në vepra të ndryshme dhe emocionuese që për herë të parë paraqiten në Galerinë Nacionale në një formë të integruar të të gjitha fazave të krijimit të tij.
Natyrisht, nëse i referohemi përkufizimit bazë të artit, dihet se çdo vepër artistike krijohet dhe lidhet me një kontekst të caktuar shoqëror, pra i takon një vazhdimësie të caktuar social-historike, të cilës i përket autori. Kështu, ndonëse Beqiri në dukje zgjedh distancimin nga bota figurative drejt një bote që ofron liri të pakufishme shprehjeje të çliruar nga kufijtë, ai nuk e mohon realitetin, përkundrazi, shpesh gjejmë referenca simbolike të realitetit të transformuar.
Edhe pse është e pamundur të prezantohen pikturat e Nehat Beqirit me pak fjalë, një pikënisje do të ishte të themi se ato janë bartëse të shprehjes së tij specifike me vijë dhe formë të theksuar, kontraste dhe simbole, ritëm dhe ekspresivitet, me një ndërthurje elementesh që burojnë nga të dyja drejtimet themelore të pikturës abstrakte – ai lirik dhe gjeometrik. Sipas tyre, narracionin në veprat e Beqirit e kuptojmë përmes tre elementeve bazë: vijës, ngjyrës dhe simbolikës që është thelbësore jo vetëm për ontologjinë në këto dy elemente, por edhe në shkrirjen dhe zhvillimin e tyre pamor e konceptual. Loja e përjetshme e ngjyrës dhe e vijës si bartëse të kuptimeve, në pikturën theksueshëm individuale të Nehat Beqirit, rezulton në krijim sistemesh të tëra asociative abstrakte simbolike, gjithmonë subjekt i shtresave të reja ose të zgjeruara të (ri)interpretimit si shprehje e drejtpërdrejtë e emocionit.
Bota jomateriale e ngjyrës dhe e vijës ka qenë baza e shprehjes artistike njerëzore që nga paraqitjet parahistorike dhe nxitja primare për të përfaqësuar një formë të sublimuar të “realitetit” ose një fragment të tij në formën e simboleve të thjeshtuara është pjesë e kujtesës kolektive të asaj që ne e përkufizojmë si njerëzim. E në pikturat e Nehat Beqirit duken shumë shtresa mbi të cilat është ndërtuar kjo kujtesë kolektive, sekretet e saj të errëta, por edhe zhvillimi dhe vlerat universale humaniste.
Për fillimet, veçoritë dhe zhvillimin e fenomenit të pikturës së Nehat Beqirit, Liljana Nedellkoska thekson: “Duke e përjetuar veten e tij ekskluzivisht si piktor, ai do ta përqendrojë energjinë e tij krijuese në morinë e problemeve dhe mundësive që piktura si medium, pavarësisht pozicionit problematik dhe të krizës në të cilin u gjend, arrinte t’i shtrojë dhe inicojë.” Beqiri që në fillim, në shfaqjet e tij të para, tregoi një talent të manifestuar përmes një ndjeshmërie të veçantë, mbi të gjitha, në mënyrën e përdorimit të ngjyrave dhe ekspresivitetin e theksuar të shprehjes së tij”. (Nedellkoska, Liljana, “Nehat Beqiri – piktura”, Shkup: Muzeu i Artit Bashkëkohor, Shkup, maj 2006)
Pas serisë së pikturave figurative – portrete dhe paraqitje kafshësh në vitet 1990 (deri në vitin 1993), në të cilat ndihet tendenca drejt shtresimit të ngjyrave dhe të vijës, vijon një reduktim i figuracionit drejt veprave te të cilat një nga interesat e kërkimeve të pikturës është marrëdhënia ndërmjet materialeve pikturore dhe atyre jopikturore. Këto piktura të krijuara në periudhën 2000-2001, bazuar në nevojën për të hulumtuar teknikat dhe shprehjet e reja dhe përvojat e artit informal, janë fillimi i një koncepti ndryshe dhe një lloj pasqyrimi i të ashtuquajturve “palosje psikologjike”. Veprat e krijuara nga zbërthimi i një skenografie teatrale tashmë të përdorur, të realizuara në një telajo skenografike të zakonshme (nga drama për Dervish Carën) janë një lloj arti i “ricikluar”, pra krijohen krijime të reja/të ndryshme nga materia e shkatërruar më parë, nëpërmjet ripërdorimit të saj, të cilat karakterizohen me shtresimin fizik të vetë materialit pikturor dhe jopikturor në formën e shtresave apo rrudhave të theksuara. Në këto piktura, shpesh me përmasa jostandarde (ndoshta për shkak të bazës), të cilat mbartin një shtresëzim ekspresiv të historisë dhe miteve të shkruara e të pashkruara, ndihet një kritikë delikate ndaj njerëzimit, por dallohet dhe fillimi i përdorimit të asaj që më vonë bëhet karakterizuese për Beqirin, i simbolikës universale të rrethit, rrjetit, lojës X-0…
Këto vepra me “zymtësi solemne” Fatmir Sulejmani i quan “një tërësi e dekompozuar që lind një mozaik të ri”, “riciklim i realiteteve dhe fateve ballkanike”, e për Nehat Beqirin thotë: “Janë të paktë artistët tanë pamorë që e kanë parandjerë dhe përshkruar në mënyrë kaq mbresëlënëse ferrin ballkanik. Çdo foto është një skenë apokaliptike, një tragjedi në një sfond të errët. Shpërthime nga një tablo në tjetrën, erupcione vullkanike, britmë e këngëve të pakënduara, preambula ushtarake me paragrafë fatalë, rrugë të përçarjes dhe Ura jetime, urdhra të përgjakshëm si dëshmi për Ditën e Gjykimit, ferrin e Dantes, binarë që të çojnë në blloqe të tjera. (…) Errësimin e fateve personale e kolektive, artisti e spërkat me nxehtësinë vullkanike, me katarsisin e njerëzve që s’kanë bishën brenda vetes, me diej alegorikë që rrezatojnë mbi ecjen e pandërprerë drejt një epoke të re njerëzore.” (Sulejmani, Fatmir, “Nehat Beqiri”, Tetovë: Shoqata e artistëve figurativë të qytetit të Tetovës, 2002)
Nga viti 2003 e në vazhdim ai filloi të hulumtojë ciklin “Grafite dhe korridore”, së pari në vepra me përmasa më të vogla, që ngjasojnë me skica të veprave që vijojnë më pas, por në të cilat mund të ndjehet monumentaliteti i shprehjes për sa i përket tërësisë kompozicionale të një prej ndoshta cikleve më të definuara të autorit. Në këto vepra dhe ato të ardhshme, Nehat Beqiri prezanton në mënyrë të theksuar lojën e vijave që, sipas tij, sugjerojnë korridore, por edhe përparime, lidhje, bashkime si vizione të lëvizjes përpara dhe “udhëtimit të lirë” (që korrespondojnë me një periudhë të theksuar të regjimit të vizës për qytetetarët tanë.) Koloriti ka një bazë të ngjashme me veprat e mëparshme, por mbizotëron një ndjenjë çlirimi dhe një freskim nga atmosfera e errët. Ndonëse këto dy cikle në veprën e Nehat Beqirit në shikim të parë duken të ndryshme, ka disa elemente ndërlidhëse, të cilat janë të pranishme në më shumë vende e përmes të cilave mund të ndiqet rruga zhvillimore e autorit.
Nëpërmjet vendosjes së disa ndarjeve midis sipërfaqes së imazhit dhe elementeve artistike të pranishme, këto kompozime dhe zgjidhje kompozicionale jetojnë linjën e tyre të dinamizmit. Kështu, kompozimi së pari ndahet në plan të parë dhe të dytë, me rrathët dhe shigjetat e vendosura në një sipërfaqe prej vijash të lehta paralele mbi një bazë të errët, që nga ana e tyre sërish shtrihen në një sfond pothuajse monokrom. Nga ana tjetër, në veprat e tjera, piktura ndahet në pjesë horizontale ose vertikale; njëra pjesë është sërish lineare kundrejt pjesës tjetër, sipërfaqja e së cilës ka një gjest abstrakt shprehës më të gjerë e më të detajuar. Vetë rregullimi kompozicional sugjeron horizonte dhe thyerjen e tyre në pjesën e sipërme ose të mesme të figurës, me një vijë të trashë të sheshtë ose me një të përthyer si EKG, por njëkohësisht përfaqëson një estetikë delikate të sublimuar të dy elementeve bazë të vijës dhe ngjyrës. Shprehja abstrakte me ngjyra që krijojnë kontrast (të errëta dhe të hapura) dhe me figuracion plotësisht të eliminuar është karakteristikë e të gjitha veprave dhe disa shenja të caktuara asociative përsëriten – rrethi si simbol i lindjes dhe lëvizjes së përjetshme, harku që paraqet një bumerang si kthim konstant, vija të paraqitura në modelin e lojës “X-0”.
Megjithatë, ndoshta filli më domethënës i ndërlidhjes mund të ndihet përmes shqetësimit ekzistencial që është pak a shumë i pranishëm në të gjitha pikturat e kësaj ekspozite. Nëse në ciklin e mëparshëm të pikturave (rreth vitit 2000) ky shqetësim shprehet përmes konceptit të procedurës të artit informal, në këtë cikël dhe në ciklin tjetër, vijat e përsëritura i kundërvihen kufizimit dhe pasqyrojnë dëshirën për lëvizje të lirë përpara dhe çlirim nga kufizimet. (Çankullovska, Maja, “A është e mundur të çahen korridoret?”, Shkup: Kontrapunkt, 2003)
Piktura e Nehat Beqirit fillon të ndjekë një tendencë çlirimi të plotë të ngjyrës dhe formës. Që nga viti 2003-2005 dhe tutje theksohet larmia e elementeve pikturore një dinamikë shprehëse e gjestit, fragmenteve dhe figurës. Ngjyrat janë më të freskëta, më të forta, më intensive në çdo aspekt, shprehja e tyre theksohet përmes kontrastit. Pjesët e errëta, thuajse njëngjyrëshe, edhe pse ende të pranishme, ngadalë ia lënë vendin shtytjes së brendshme drejt dritës. Orientimi horizontalo-vertikal i pikturës mund të vihet re në vende të caktuara përmes shtresave të bojës, kompozimi pasurohet me elemente më simbolike, lëvizja bëhet dominante dhe duket se ngurtësia racionale e humb plotësisht betejën përpara stuhisë së pandalshme emocionale. Loja “X-0” vazhdon të jetë këtu, si një kritikë delikate e pozicionit të njeriut dhe kodit të tij në “lojërat” personale dhe shoqërore, por vija dhe ngjyra marrin drejtime çliruese. Gjithçka është më e theksuar dhe më intensive: kompozimi është lozonjar, shfaqet një narracion më i madh dhe organizim më kompleks në kompozimet e mëdha dyshe, numri i vijave paralele zvogëlohet dhe fillon të ngjajë me një bazë lineare për shënim të notave, ngjyrat dhe vlerat e tyre koloristike janë të forta deri në shpërthyese, ndihet një atmosferë optimiste për të gëzuar botën dhe jetën…
Nga ana tjetër, shfaqen kompozimet me kromatikë ekskluzivisht bardhë e zi, ndoshta si një mbetje ende e pranishme (ndoshta gjithmonë e pranishme diku në vetëdijen e thellë) me origjinë ekzistencialiste.
Ashtu siç Nehat Beqiri lë të kuptohet në veprat e tij të mëparshme, rreth vitit 2008 loja bazë “X-0” zhvillohet duke u shndërruar në një lloj shënimi që asocon me kodin binar “1” dhe “0”, vargje shenjash, pra vargje binare në zhvillimin teknologjik të qytetërimit me të gjitha veçoritë dhe reflektimet e tij pozitive dhe negative, por si një realitet ekzistues që nuk mund të shmanget e abstragohet dhe të krijon një farë ankthi me kudondodhjen e tij. Vijat paralele tashmë marrin një transformim serioz në pentagramin muzikor ose janë pjesa bazë e instrumenteve me tela në pikturat kushtuar tingullit të xhezit, bluzit.
Turbulenca emocionale dhe ndoshta ndërgjegjësimi më i madh për vendin e njeriut në shoqëri, apo thënë më mirë dehumanizimi në përgjithësi, del në pah në punimet e bëra në periudhën 2009-2010. Gama e pikturës errësohet, ngjyrat shuhen, simbolika asociative është ende e pranishme. Ndihet një moment radikal në pikturën e Nehat Beqirit, me rikthimin e tij tek elementet e figuracionit. Kështu, në shfaqjet koloristike mund të gjenden koka njerëzore me vija të thjeshtuara, me sy të theksuar, por shfaqet edhe një element krejtësisht i ri – buka.
Veprat “Buka” (2009) dhe “Sofra” janë një reagim i fortë i artistit ndaj trishtimit dhe vuajtjes së njerëzimit përballë një krize, ndërsa terrori mbi njerëzit shfaqet simbolikisht dhe madje edhe në formë profetike (si kriza e refugjatëve) përmes telit me gjemba në veprat e titulluara “Telat”. E kësaj periudhe është edhe seria e pikturave nën titullin “Histori për jetën”, të cilat me grafikën e tyre të theksuar tregojnë rikthimin te njeriu dhe gjendja e tij intime, dramat dhe emocionet, si baza e gjithçkaje.
Ndjenja mbizotëruese e ekzaltimit dhe ndërgjegjësimit për vuajtjet njerëzore dhe ndryshkjes gjithnjë e më të madhe të vlerave theksohet në veprat e krijuara në 8-7 vjetët e fundit. Kështu, si një lloj kritike unike ndaj konsumizmit vijnë veprat e titulluara “Candy Crash”, ndërsa reagimet personale në lidhje me vuajtjet personale, kolektive dhe universale njerëzore pasqyrohen në tonalitetin e heshtur në veprat me titull: “Rekuiem”, “Tavolina”, “Rrathë”, “Big Brother”, “DNK”, “Diell”, “Muzg”, “Oborr”, “Buzëqeshje e thyer” etj.
Performanca dhe instalacionet paraqesin një segment më vete në veprën e Nehat Beqirit. Një performancë që nuk mund të shmanget është “vepra” e vitit 2010, e përbërë nga 1500 vezë, të vendosura në një dërrasë vertikale, të cilat janë të mbushura me ngjyra të ndryshme. Thelbi i kësaj shfaqjeje është ndërveprimi i drejtpërdrejtë me publikun, që me aktin e thyerjes në fakt merr pjesë simbolikisht dhe drejtpërdrejt në krijimin e një vepre të përbashkët.
Me instalacionin “Bukë e kaltër” (2020), Nehat Beqiri tematizon rrezikun e prodhimit dhe konsumit të tepërt të plastikës, pjesa më e madhe e së cilës përfundon në det. Sipas të dhënave, ne kemi hedhur mbi 150 milionë plastikë në detra dhe oqeane, ndërsa në shtratin e detit ndodhen rreth 14 milionë tonë mikroplastikë, të dhëna që duhet të na bëjnë vërtet të mendojmë. Instalimi, i përbërë nga bukë të tëra (të vërteta, nga ato të bëra me miell, të ngjyrosura me të kaltër, ndërkohë që të tjerat janë punuar nga një material transparent përmes të cilit shkëlqen një dritë e zbehtë) dhe mbeturina të ndryshme plastike, bëjnë një asocim me ishujt lundrues prej plastike, por edhe me faktin që detet janë burim i jetës në Tokë dhe se ndotja e tyre shkatërron jo vetëm jetën e detrave, por gjithë jetën e planetit, përfshirë atë të njerëzve”. (Nedellkovska, Liljana, “Panic room ose kërcim në mendim”, Shkup: Muzeu i Artit Bashkëkohor, Shkup, tetor 2020)
Mbi veprën e pasur të piktorit ekspresiv, dinamik dhe të palodhur Nehat Beqiri, në vend të një përfundimi – sepse nga ai në të ardhmen priten edhe shumë surpriza krijuese – mund të sublimojmë se piktura e tij e deritanishme është jashtëzakonisht e veçantë dhe e sinqertë, dhe veprat e tij janë një pasqyrim i emocioneve të tij të brendshme lidhur me tema, shtrirja e interesit të të cilave varion nga ato thellësisht intime deri tek ato universale. Kemi të bëjmë me një pikturë të thellë humaniste që në themel dhe në qendër të saj ka Njeriun, prania e të cilit në veprat e autorit shpesh ndihet pikërisht nga mungesa e tij. Ndonëse ai është masa e supozuar e të gjitha gjërave, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të kujdesshëm se veprimi i tij egoist është kundër mirëqenies së njerëzimit dhe, thënë në mënyrën më të butë, është shkatërrues.
Maja Çankullovska-Mihajlovska
Vështrim i krijimtarisë së Nehat Beqirit, Maja Çankulovska-Mihajlovska, kuratore e lartë në Galerinë Nacionale.
Nehat Beqiri ka lindur në Tetovë, ka diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Prishtinë në klasën e prof. Muslim Muliqi, ku ka magjistruar në vitin 2001.
Punon si profesor ordinar i pikturës në Universitetin Shtetëror në Tetovë dhe jep mësim në Universitetin Ndërkombëtar në Novi Pazar. Është anëtar i Shoqatës së Artistëve figurativ të Maqedonisë. Përveç disiplinës së pikturës, ai punon edhe me media të tjera, skulpturë, instalacion. Veprat e tij gjenden në disa koleksione shtetërore dhe private brenda dhe jashtë vendit.
Ka realizuar mbi tridhjetë ekspozita të pavarura, pjesëmarrës në koloni të shumta artistike, si dhe në një numër të madh ekspozitash grupore.
Ekspozita në Çifte Hamam do të jetë një kompozim i mbi njëqind pikturave të ekspozuara në teknikë akril në pëlhurë nga krijimtaria e tij krijuese, instalacionet dhe grafika.
Kuratore e ekspozitës është Maja Krstevska, kuratore e lartë në Galerinë Nacionale.