ERA PARAKLET – Ekspozitë personale e Dimitrie Duracovski

Me kënaqësi të veçantë, në skenën e tonë galerike, ju shpallim autorin – artist në fushën e artit figurativ dhe fjalës së shkruar, Dimitrie Duracovski i cili si artist piktor, nuk është paraqitur para publikut gati se katër dekada, por veçantia e tij në shprehjen artistike është objekt i analizës në disa studime dhe literaturë të teorisë së artit figurativ.
Veprat do të ekspozohen në Çifte Hamam, me datë 1 shtator 2023 (e premte), në orën 20:00 dhe ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 21 shtator 2023.
Vepra e Duracovskit mund të cilësohet si metafizike dhe në të njëjtën kohë konceptuale, dhe duke pasur parasysh kohën në të cilën ai filloi të krijojë (1973) dhe kur jozyrtarisht e ndërpreu pikturën (1987), pa mëdyshje mund të themi se ai është një pararendës i shprehjes konceptuale të artit bashkëkohor në Maqedoni.
Dimitrie Duracovski si autor është një dukuri e pazakontë në artin bashkëkohor maqedonas, ai është një krijues i vetmuar por intelektualisht kureshtar që jeton dhe vepron në Strugë. Në përpjekje për të formuar një vizion të plotë të botës, ai përdor mjetet dhe mundësitë shprehëse të pikturës, vizatimit dhe fjalës së shkruar. Tematikën bazë e gjen në kthimin dhe shqyrtimin e hapësirave misterioze të shpirtit njerëzor, ku shpesh preken ose fshihen kufijtë ndërmjet reales dhe fantastikes, të mundshmes dhe të pamundshmes, racionales dhe irracionales… Mendimi është përmbajtja e parë dhe e brendshme krijuese të veprave të tij, e cila në njëfarë mënyre riformëson vizionet artistike në ndërgjegjen tonë.
Forma realiste në pëlhurat e tij, e zgjidhur si kompozime figurative në një dekor klasik kuloaro-iluzionist me forma njerëzore jashtëzakonisht të thjeshtuara si kukulla dhe kromatikë të reduktuar, nënkupton botën tjetër dhe të papërcaktuarën.
Vizatimet e tij, të kombinuara me tekste, shënime, konsiderata teorike dhe letrare, i referohen përdorimit të disa elementeve, metodave dhe njohurive nga surrealizmi dhe psikanaliza.
Mbetet përshtypja e paqartësisë së kritikës maqedonase ndaj këtij autori, me ndjenjën se diçka fshihet pas asaj që shohim dhe lexojmë në veprat e tij. Ajo parandjenjë dhe mister është ndoshta më e rëndësishmja në procesin e krijimit, ndaj përmes kësaj ekspozite do t’i prezantohet publikut maqedonas për herë të parë në tërësi.
Dimitrie Duracovski është shkrimtar dhe piktor bashkëkohor maqedonas. Ka lindur më 15 shkurt 1952, në Strugë, ku ka kryer arsimin fillor. Ka diplomuar në Shkollën e Arteve të Aplikuara, Departamenti i Pikturës, në vitin 1975, në klasën e prof. Rodoljub Anastasov. Në vitin 1977 iu bashkua Galerisë “Vangel Koxhoman” në Strugë. Që nga viti 1982 punon në Muzeun Kombëtar në Strugë, kur Galeria u bë pjesë e Muzeut. Gjatë viteve të kaluara, ka menaxhuar galerinë “Vangel Koxhoman”, e cila strehon pikturat nga ekspozita e përhershme Struga në të kaluarën, dhe në të njëjtën kohë drejton Departamentin e Artit Bashkëkohor të Muzeut Kombëtar, duke organizuar më shumë se 150 ekspozita të pavarura dhe grupore të disa artistëve të rëndësishëm nga Maqedonia, Jugosllavia dhe bota.
Gjatë viteve të kaluara ka realizuar disa ekspozita të pavarura në Suboticë, Strugë, Ohër, Novi Sad dhe Shkup, si dhe është prezantuar në disa ekspozita kolektive: Kritikët zgjodhën, Shkup; Gjeometrizmi dhe llojet e saj në pikturën maqedonase, Shkup; Lër shenjë (Ostavi trag), Beograd; Bienalja e rinisë (Bienale na mladi) Shkup; Surrealizmi dhe llojet e tij në pikturën maqedonase, Shkup; Portret në artin figurativ maqedonas, Shkup; Diskursi konceptual në Maqedoni, Shkup.
Ka qenë anëtar i grupit letrar Petti krug.
Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë që nga viti 1989.
Veprat e tij letrare dhe artistike janë objekt analizash në disa studime dhe libra mbi teorinë e artit figurativ dhe letërsisë.
Ka botuar libra në formën e tregimeve: Histori e fshehtë(Tajna istoria), 1986; Profetët e zinj(Cërni proroci), 1996; romanin Insomnia, 2001, për të cilin mori njohjen e Racinit. Në vitin 2014 ka botuar librin Hije të zbehta, zëra të largët (Bledi senki, dalecni glasovi) për të cilin në vitin 2015 ka marrë për herë të dytë njohjen e Racinit.
Në vitin 2019 fitoi dhe çmimin shtetëror “11 Tetori” për arritje jetësore.
Kurator Goranço Gjorgievski, kurator në Galerinë Nacionale