Grupi artistik XXL në Malla Stanica

Në kalendarin programor të Galerisë Nacionale, data 15 dhjetor është data e planifikuar për prezantim zyrtar të grupit artistik XXL dhe hapja e ekspozitës është caktuar në orën 18:00.

Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut (Qendra Multimediale Malla Stanica) paraqet grupin XXL, të krijuar në vitin 1994 në Sofje. Pas dekadash mosnjohjeje të ndërsjellë (apo njohje të pjesshme) të proceseve aktuale në artin e të dy vendeve, kjo ekspozitë duket si një hap tjetër drejt bashkëpunimit jetëgjatë në fushën e kulturës.

Në vitin 1994, themeluesit e grupit ishin Svilen Stefanov, Genadi Gatev, Huben Çerkellov, Ivan Quranov, Kosjo Minçev, Rasim, Georgi Tushev, Petko Durmana dhe Sllavi Sllavov. Manifesti i parë “Gjuajtje me këmbë (Shkelm, shutim) mbi shpinën e inercisë” u shkrua dhe u botua në fillim të vitit 1995 në revistën “Kultura” e më vonë me shtesa u shfaq edhe në faqet e “Literaturen vesnik”. Emri XXL lidhet edhe me galerinë që ka ekzistuar mes viteve 1996 dhe 2003 në Sofje. Emrat e disa prej ekspozitave më të njohura të rrethit XXL janë “Arti i ri bullgar” (1996), “Kosjo, Huben, Tushev” (1997), “Dimensionet e dhunës” (1998), “Gangstart” (1998), “Peizazhi bullgar si metaforë” (2001) dhe “Praktika të reja radikale” (nga 1997 deri në 2001).

Galeria XXL u mbyll në vitin 2003 nga guvernatori rajonal i Sofjes pas një ekspozite në galeri me emrin “AntiSax” (Art i ri politik).
Në imazhin e përgjithshëm të artit bullgar, ky grup është një nga shembujt e parë të veprimtarisë artistike të pavarur jashtë strukturave ekzistuese institucionale. Që si studentë, ata futen në hapësirën publike në mënyrë radikale dhe joceremoniale. Sot krijimtaria e tyre shihet me një pamje më objektive, të çliruar nga filtri i emocioneve dhe shpirti ekstravagant i viteve 90-të. Ekspozita në Galerinë Nacionale në Shkup nuk është rindërtim i fenomenit XXL – pasi ky do të ishte një rindërtim i madh i dhjetëra veprave, disa prej të cilave nuk ekzistojnë më. Edhe ato janë vetëm një pjesë e sjelljes së përgjithshme radikale. Kjo ekspozitë është më shumë një reminishencë dhe një përpjekje për të kuptuar më vonë ndryshimin që ka shkaktuar ky grup në artin bashkëkohor bullgar.

Ekspozita nxjerr në pah kryesisht punën e deritanishme të grupit, ku përveç themeluesve prezantohen edhe autorë që janë përfshirë në aktivitetet e tij prej vitesh – Rosen Toshev, Dimitar Jaranov, Georgi Ruzhev, Boris Serginov, Krasimir Dobrev, David D’Agostino. Një numër i madh autorësh kanë bashkëpunuar me grupin ndër vite, ndërsa dhjetëra kanë hapur ekspozita personale në hapësirën e galerisë XXL.
Në vitet 1990, grupi u bë i njohur për punën e tij në instalim, performancë, video dhe aksione në hapësirën urbane. Për shembull, një veprim i tillë ishte lyerja skandaloze e objekteve në të gjithë qendrën e qytetit me grafitin “Huben, Kosjo, Tushev”, që gati-gati i afrohej një akti vagabondësh.

Njëkohësisht, grupi zhvillonte vazhdimisht mundësitë bashkëkohore të pikturës, siç dëshmohet jo vetëm nga ekspozita konceptuale kuratoriale “Piktura e re bullgare” (1996), por edhe nga fakti se pothuajse i gjithë grupi punоnte dhe ende punon në atë që konsiderohet medium klasik. Edhe sot ata shprehen me të gjitha mjetet e mundshme, por pa një marrëveshje paraprake, theksi bie gjithmonë te piktura. Piktura, dukshëm e shumëanshme – nga të qenët konceptualisht “serioze” deri te më abstrakte ose ekspresive në një formë të papërgjegjshme dhe parodike. Kudo vizioni është i ndërlikuar, i refraktuar përmes një shtrese semantike tinëzare intelektuale, duke parë përtej materialeve, teknikave dhe gjesteve. XXL luan me gjuhët pikturale të normative historike – me vetëdije të plotë për përdorimet e tyre të reja ironike.
Pjesë e Programit vjetor, projekt i mbështetur nga Ministira e Kulturës.

Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në realizimin e ekspozitës morëm mbështetje të parezervë nga Instituti Shtetëror i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë dhe Qendrës Informative Kulturore të Republikës së Bullgarisë në Shkup.