Demir Behluli – Eksposite Retrospektive (1956 – 2013)

Share Button

Me kënaqësi pranuam që ta realizojmë ekspozitën e autorit Demir Behluli në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin e Çifte hamamit, meqenëse bëhet fjalë për një autorë të frytshëm me prejardhje shqiptare i cili ka lindur në Preshevë, kurse jeton në Kosovë, por me Maqedoninë atë e bashkon përfundimi i arsimit në shkollën normale “Liria” në Shkup, me ç’rast mësimet nga fusha e artit figurativ do ti mësoj nga doajenët Spase Kunovski dhe Vanço Gjorgievski, këta të fundit do të lënë vule të fuqishme mbi zhvillimin e tij të ardhshëm kreativ.

demir behluli plakat

Behluli ka përfunduar shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, në drejtimin e artit figurativ, kurse ka specializuar në lëmin e dizajnit të tekstilit në Austri. Me këtë ekspozitë, që ka karakter retrospektiv, autori feston jubileun – 75 vjetorin e lindjes dhe 58 vjetorin e ekspozitës së parë të pavarur.

Demir Behluli është një artist që dallohet me shprehje të fuqishme artistike, por edhe me shprehje gojore në trajtë të poezisë dhe prozës. Në domenin e repertorit të artit figurativ, Behluli dinë të ngacmojë edhe sferat reale të shprehjes artistike, por edhe të shprehet në mënyrë ekspresive, impulsive dhe në mënyrë moderne. Portretet klasike foto – realistike përmes peizazheve surrealiste kalojnë në zgjidhje të fuqishme figurative me elemente të grafikës anksioze, që sajohen me kroki solucione. Aftësia e tij për eksperimentime dhe për punë me teknika dhe stile të ndryshme, më pas lëviz në domenin e dizajnit, dizajnit të tekstilit (perdet), dizajnin e librave, katalogëve, kuranëve, pllakateve, flamujve, arabeskave dekorative nëpër xhamitë e deri te piktura murale të motiveve krishtere të sajuara nga bibla e të prezantuara nëpër kisha. Autori dallohet me përvetësim të shkathtësive artistike për të gjitha mediumet dhe teknikat e shprehjes artistike figurative, duke filluar prej lapsit, temperës, ngjyrave të vajit, bojës së shkrimit, akuarelin, teknikat grafike etj.

Artisti ynë prapa vetes ka një biografi mjaftë të pasur që karakterizohet me numër të madh të ekspozitave të pavarura dhe grupore, të realizuara brenda vendit dhe në shtetet e huaja. Ai ka botuar 18 libra me poezi dhe rrëfime, për të rritur dhe fëmijë. Autori ka stolisur mbi 43 xhami dhe një teqe. Përskaj mediumeve klasike artistike, ai do të shprehet edhe në mediumin e stripit, skenografisë, ilustrimet, rebuset, vizatimet enigmatike, vinjeta, intarzitë etj.

Një pjesë të poli dimensionalitetit të këtij artisti do të ekspozohet edhe në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, me synim që publiku ynë të mund të fitoj një spektër më të gjerë të njohurive për mundin e autorit por edhe për përkushtimin e tij që i dedikohet artit.

Halide Paloshi, drejtor

——————————————-

Shënime për autorin

Demir Behluli, u lindë më 10 shkurt 1938, në fshatin Ranatoc në Karadakun e Preshevës.

Shkollën fillore katërklasëshe e kreu në fshatin Maxhere, në një shtëpi private, në vitin 1953, ku vazhdoi edhe katër klasë në Preshevë, që atëherë quhej gjimnazi i ulët, duke udhëtuar në këmbë, nëpër male e përroje, nga 26 km. në të dy drejtimet. Në vitin 1956, kreu klasën e tetë privatisht dhe u regjistrua në Normalen “Lirija” në Shkup, e cila zgjati pesë vjet. Në vitin 1964, u diplomua në SHLP, grupin e artit figurativ, në Prishtinë. Më 1965, kreu shkollën e oficerave rezervë në Bileqe. Më 1975, specializoi dizajnin për tekstil në Kufshtajn të Austrisë.

Punoi si mësues në Shkup, Svillare e Poshtme dhe Rahovicë të Preshevës, si arsimtar i artit figurativ në Preshevë dhe si dizajner në fabrikën e perdeve “Gival” në Gjilan.

Vjersha e parë “Lules” i’u botua në janar të vitit 1956 në “Zani i rinis” në Prishtinë, kurse tregimi i parë “Ekskurzioni në parafytyrim” në vitin 1959 në “Flaka e Vllazërimit” në Shkup.

Demiri merret me poezi dhe me tregime, për të rritur dhe për fëmijë. Ky krijues ka tri mundësi të shprehjes artistike: figurative, poetike dhe tregimtare.

Demiri ka botuar edhe në gjuhën serbokroate qysh në vitin 1964 në revistën “Nasha stvaranja” në Leskoc dhe ka përkthyer nga sërbokroatishtja në gjuhën shqipe përmbledhjen me poezi “Ndjesë“ të Fahrije Çerkezit nga Mitrovica.

Në lëmin e letërsisë deri më tash botoi këto vepra:

1.- “Me këto duer” 1968, Prishtinë (poezi)
2.- “Dielli-zog qielli” 1969, Shkup (poezi)
3.- “Jehonë maji”, 1981 Gjilan, (sonete)
4.- “Udhëtimi”, 1984, Preshevë (sonete)
5.- “Kronikë“, 1985, Prishtinë (monografi)
6.- “Arabeska origjinale në xhami të Kosovës Lindore, 1984-1994”, 1995, Prishtinë (monografi)
7.- “Mbreti i shtëpisë“ 1996, Prishtinë (për fëmijë),
8.- “Duke pritur”, 1997, Prishtinë (poezi),
9.- “Ese, kritika, ekspozita” 1997, Prishtinë
10.- “Trenat e bukës”, 1997, Prishtinë (tregime),
11.- “Portrete shkrimtarësh”, 2002, Prishtinë (vizatime)
12.- “Shtëpi prej zalli” 2004, Prishtinë, (për fëmijë),
13.- “Kur njeriu flet vetëmevete” 2005, Gjilan (tregime),
14.- “Befasi e këndshme”, 2005, Gjilan, (novela).
15.- “Zogëza e Gjyshit” 2007, Gjilan (për fëmijë)
16.- “ E shtuna në Preshevë”, 2009, Gjilan (poemë)
17.- “Parafjalë”, 2011, Prishtinë ( 70 sonete)
18.- “Shenjtëresha shqiptare”, 2012, Prizren, portrete dhe vargje për Nënën Tereze)

Në lëmin e artit figurativ është shumë më i bollshëm: përveç 12 ekspozitave personale:

1.- Preshevë, 1955, 1965, 1967, 1971;
2.- Shkup 1960,
3.- Gjilan 1980, 1985 (retrospektive), 2004, 2006, 2007,
4.- Prishtinë 2002,
5.- Durrës 2005.

Demiri mori pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive. Dekoroi edhe enterierin e 43 xhamive dhe 1 teqeje me arabeska origjinale me një sipërfaqe mbi 26.000 metra katrore. Pikturoi edhe muralet në kishën e Binçës “Martirët e Karadakut”(me Zeqirja Rexhepin) me një sipërfaqe prej 650 m. katrore me 520 figura me veshje gjithëkombëtare që është unikate në botë. Punoi shumë portrete, ilustroi libra, realizoi shumë dezene për perde ku dezeni “101” u shtyp në 5 milion metra gjatësi dhe u shpërnda në të gjitha kontinentet.

Krijoi mbi 1570 potrete teknikash dhe formatesh të ndryshme 500, me laps 300, me laps kimik 30, me tush 200, me germa 10, kompozicione 30 dhe me vaj 200.

Gjatë punës 55 vjeçare në realizimin e krijimtarisë së tij përdori: lapsin, tushin, thëngjillin, akuarelin, temperen, pastelin, flomasterin, vajin, teknika të kombinuara, linogdhendje, gips, dru etj. Realizoi portrete, natyra të qeta, pejsazhe, kompozicione, dizajne, ballina librash, ëmblema, diploma, pllakate, skenografi, stripa, ilustrime, murale, arabeska, labirintha, rebusa, fjalëkryqe, thurrje, vizatime enigmatike, vinjeta, kroki, portrete me germa, intarzi, monotipi me akuarel, frize etj.
Veprat artistike të Demirit gjenden në shumë galeri private dhe shoqërore në tërë rruzullin tokësor: në të gjitha republikat e SFRJ, Shqipëri, SHBA, Holandë, Gjermani, Austri, Australi, Turqi, Zvicër, dhe gjetiu.

Kuriozitet: Demiri prej vitit 1955 deri më 2012 miqve, enteve dhe institucioneve të ndryshme në tërë rruzullin tokësor i dhuroi mbi 826 vepra origjinale.

Fushën e artit figurativ gjatë punës së tij, shpërblehet:

1.- 1957, nga Shoqate Kundëralkoholiste, në Shkup
2.- 1964, si student në Prishtinë, për intarzi,
3.- 1965, si kadet në Bileqe, merr shpërblimin tradicional për pikturë,
4.- 1979, Kuvendi Komunal i Gjilanit i ndan çmimin e Nëntorit,
5.- 1981, merr shpërblimin Jubilar nga Sindikata e Maqedonisë, në Valevë,
6.- 1985, dekorohet me Shenjën e artë nga Sindikata Federative në Beograd,
7.- 2004, Shpërblehet me Plaketën e artë për vendin e parë me pikturë në manifestimin multikulturor “Flaka Janarit” në Gjilan Demiri prezentohet dhe citohett në 30 libra, leksikone dhe enciklopedi në gjuhën shqipe dhe sërbokroate,

Me ekspozita personale dhe kolektive u prezentua në këto qytete: Preshevë, Shkup, Manastir, Bujanoc, Surdulicë, Beograd, Valevë, Gjilan, Viti, Dardanë, Ferizaj, Prishtinë, Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Terandë, Plandishte, Mlladenovac, Luksemburg, Durrës, Fier, etj.

Udhëtime me karakter studimi vizitoi: Athinën, Korintin, Kallambakon, Stambollin, Vjenën, Frankfurtin, Milanon, Venedikun, Barcelonën, Beratin dhe Parisin.

Për krijimtarinë e Demirit shkruajtën mbi 50 autorë, me gjithsejt mbi 250 faqe libri, disa citate prej tyre do të shkëpusim në vijim:

Hasan Makuli, kritik letrar: “… Demiri ka ngjyrë origjinale që premtojnë dhe lanë mbresë të kënaqëshme (1964), dhe krijimtaria e Demirit ndrynë në vete dëshminë e prirjes së vaçantë…(1969),
Musa R. Mehmeti, piktor: “…pikturat e Demirit nuk mbështeten vetëm në vlerat e anës fabuloze, por edhe në vlerat artistike…”(1973),
Jetulla Haliti – Eti, piktor: “…Demir Behluli i takon gjeneratës së parë të krijuesve kosovar i cili edhe kontribuoi në formimin e kulturës figurative autoktone te ne… si krijues është specifik, sidomos në mënyrën e trajtimit të portretit dhe akuarelit…” (1980),
Jonuz Fetahaj, poet: “…Demiri nuk është abstrakt edhe atëherë kur është simbolik…” (1980),
Daut Demaku, shkrimtar: “… Demiri kur don, mund të bëjë mrekullira…” (1983),
Zejnullah Zejnullahu, piktor : “…krijimtaria e Demirit e ka adresën e vet dhe nuk ngatrrohet me të tjerët…Demiri është një galeri e gjallë…” (1984),
Demush Haziri, piktor:“…Demir Behluli mundohet t’ i japë shpirtin portretit, bukurinë natyrës, adhurimin Atdheut, pavdekshmërinë traditës, krenarinë folklorit…” (1985),

Muftiu Sulejman Efendi Rexhepi: “…vlen të përshëndes tendencën dhe guximin e Demirit që krahas arabeskave tradicionale të murosë edhe arabeskat origjinale shqiptare, krahas shenjave fetare të përdorë edhe ato kombëtare…” (1995).
Mustafa Ferizi, kritik arti:”…veprimtaria dekorative e Shkollës së Demirit, manifestohet në shumë drejtime, por para se gjithash në aplikimin e risive, të cilat për herë të parë i hasim në krijimtarinë e Demirit…kur i shikon kubetë e mëdha të thot mendja se po vështron qëndizmat apo ojnat e punuara me dashuri vajzërie me gjilperë e kërrabëz ose me përkushtim filigranisti …” (1995),
Dr.Muhamet Pirraku, historian: “…fisnikrërim i pikturës murale dhe i shpirtit shqiptar…Demiri është një krijues me veprimtari multidisiplinare, fenomen shqiptar i kohës sonë të nderë…” (1996),
Vesta Nura, piktore: “…pikturat murale në kishën e Binçës në Viti,. të vitit 1990, u bënë simbol i afrimit të popullit…” (1999),
Shpëtim Golemi, ushtarak: ”…personazhet historike të historisë sonë u shndërruan në shenjtorë në Kishën e Binçës… të bësh një vepër të tillë në një tempull fetar, me karakter të theksuar kombëtar në periudhën kur Sërbia eliminonte çdogjë shqiptare dhe po i ngrinte institucionet e dhunëshme, do të thotë të bësh po aq trimëri dhe heroizëm sa edhe kur je në luftë të armatosur e ballë për ballë me armikun…
…mendoj se asnjë grumbull pikturash në tërë trojet shqiptare nuk e zëvendësojnë dot këtë vepër të madhe murale për nga vlera edukative e saj. Me këtë vepër artistike piktori Demir Behluli do të renditet përkrah piktorëve tanë si Onufri, David Selenica dhe Konstandin Shpataraku, që pikturat e tyre të bëra nëpër kishat e Shqipërisë vlerësohen si pikturat më të mira murale të kishës lindore…” ( 2000)
“…ajo që e bën sa mistike edhe reale është realizimi I një ngjarje para 150 vjetësh në një kishë shqiptare në prag të një genocide gjigant. Me të drejtë mund të mendosh se autorët e këtij kompozimi duhet të kenë pasur sinjale nga Zoti! (pikturat murale në Binçë). Demiri predikimin e parë të Krishtit nuk e paraqet në malin Zion, por në malet e Karadakut…” (2001),

Musa Sabedini, gazetar: “… ky është piktori që në heshtje la gjurmë të pashlyeshme te dashamirët e artit…” (2002),

Dr.Muhamed Mufaku- Arnauti, profesor: “… Arti i arabeskave të reja rikthehet sërish, duke u dalluar nga arti i arabeskave tradicionale, siç ishin të njohura nëpër xhamitë e shekujve të kaluar. Lirisht mund të themi se pas këtij “revolucioni” qëndron artisti Demir Behluli, punimet e të cilit në zbukurimin e xhamive të Kosovës disa i quajtën edhe si “Shkolla e Demir Behlulit” në artin islam të arabeskave…” (2008, Jordani, në gjuhën arabe).

Dr. Don Lush Gjergji, prift: “…Gërshetimi i përjetimit artistik është kurorëzuar…mes portreteve dhe vargjeve kushtuar Nënës Tereze, pothuaj si dy binare të pandashme që gjithnjë begatohen dhe përplotësohen me njëra tjetrën…” (2012).
Hysen Këqiku, poet : “…nëpër xhami si dhe në Kishën e Binçës, çdo detaj mund të mirret si vepër artistike në miniaturë dhe nëse numërohen të gjith ato, ky krijues ka bërë aq vepra sa që mund të barazojmë me minutat e jetës së tij…” (2008).
Tani jeton dhe krijon në Gjilan.

Kjo ekspozitë retrospective organizohet me rastin e 75 vjetorit të lindjes dhe 55 vjetorit të ekspozitës së pare,1955.

Share Button