Ekspozita e Kristina Pulejkova në Çifte hamamit

Share Button

Kur bëhet fjalë për artin e ri mediatik në Maqedoni, shembujt e aplikimit të teknologjive të fundit janë të rralla, dhe aq më pak ne kemi hyrë në fushën e artit ndërdisiplinor dhe transdisiplinor me fushat e tjera. Një nga shembujt e ndritshëm të këtyre shprehjeve vizuale më bashkëkohore në art këtu është shembulli i artistes së re Kristina Pulejkova, e cila është stacionuar në Londër, ku jeton, punon, hulumton dhe avancohet në shkollim. Ajo u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë, në Katedrën e Pikturës dhe Animacionit, dhe më pas u pajis me gradën Master i Artit dhe Teknologjisë nga Universiteti St. Martin në Londër.

Vetë trajnimi i saj përcaktoi qasjen e Pulejkovës në të cilin asgjë në artin figurativ nuk mund të përfaqësohet vetëm dhe vetëm përmes formës figurative, pa hulumtuar dhe pa u mbështetur në disa disiplina të tjera shkencore, të cilat në ngërthimin e vet do të krijonin një amalgame vizuale-konceptuale të pacenueshme, e cila është shumështresore dhe e cila është jo vetëm transmediale dhe transdisiplinore, por ajo gjithashtu analizon çështjet aktuale në fushën e politikës, ekologjisë dhe teknologjisë.

Projekti është titulluar “Rruga dasmore” dhe paraqet një instalim kompleks multimedial, i cili përfshin vepra video të xhiruara në studio, me aktorë, në bazë të një skenari të shkruar më herët nga Pulejkova, dhe me koreografinë e përgatitur nga bashkëpunëtori i Projektit Xhorxhia Tegou, që projektohen në ekrane uji; projektimi holografik dhe video në 360̊ – realitet virtual.
Koncepti rreth të cilit po përkufizohet dhe po formohet narrativi i projektit është tregimi për ngalën Evropiane, e cila është vendosur në listën e specieve të rrezikuara, ndërsa paralelisht me ngjalën Evropiane, Pulejkova lokalisht përfshin dhe ngjalën e Ohrit, e cila natyrshëm radhitet në ato Evropiane, mirëpo, pasi rruga e migrimit është ndaluar në mënyrë artificiale, ajo tanimë po shumëzohet në mënyrë artificiale. Ngjala është një specie shumë specifike, e cila kalon nëpër tre faza të jetës, duke u pjekur, nga një ngjalë individuale e vogël dhe e tejdukshme-e qelqtë, përmes ngjalës individuale të rritur të verdhë dhe seksualisht të pjekur, me “rrobë” të argjendta. Për ta realizuar riprodhimin e vet, ajo migron në Detin Sargas, e udhëhequr nga instinkti vetjak, ku ndodh akti i dashurisë, i cili njëkohësisht, është dhe hallka e fundit e udhëtimit të quajtur ekzistencë, gjegjësisht, pastaj vijon vdekja e saj, ndërsa ngjalat e vogla, duke mbajtur kodin e origjinës, rikthehen përmes rrugës që kanë kaluar prindërit e tyre.

Udhëtim ky i çuditshëm, i dhënë nga natyra, i cili në një mënyrë specifike flet për migrimin në përgjithësi, i shikuar përmes perspektivës së njeriut, trajton ndjesinë e migrantit, dilemat, pyetjet, përkatësinë, nostalgjinë, vetë-identifikimin. Ngjala e Ohrit duhet ta kishte mbajtur të njëjtën rrugë, të gjente raportin vetjak të riprodhimit dhe mbijetesës, mirëpo, për fat të keq, në vitin 1962, në trajtën e ngjalës ishte ndërtuar një pendë ndaj Republikës së Shqipërisë, dhe sot në këtë vijë janë vendosur edhe 5 penda tjera. Me këtë, sistemi natyror riprodhues i ngjalës është ndalur me forcë dhe që atëherë, Liqeni i Ohrit artificialisht po shumëzohet me ngjalë. Ky diskurs vendos në një rrafsh serioz çështjen e ndikimit njerëzor mbi fatkeqësitë ekologjike, nga njëra anë, e po ashtu edhe pjesëmarrjen politike, ose perspektivën, nga ana tjetër. Hap diskurset e bllokimit apo hapjes së kufijve, për llojet e ndryshme të nacionalizmit, për migrimet e shpeshta njerëzore në trajtën Shqipëri – Maqedoni në kushte të periudhave të ndryshme, nga arratisjet në të kaluarën e popullsisë shqiptare, e cila ishte përpjekur të shpëtonte nga regjimi i Enver Hoxhës, apo arratisjet e fundit, tragjike, të refugjatëve Sirianë, të cilët kërkojnë rrugën e vet drejt një vendi me ardhmëri më të ndritshme për vete dhe për fëmijët e vet (njëjtë si dhe vetë ngjalat).

Këtë narrativ, apo koncept, në mënyrë vizuale, Pulejkova e aranzhon në imazhe të lëvizshme, kështu që në studio, ajo xhiron valltare, të cilët interpretojnë të ashtuquajturën “rrugë dasmore” të ngjalës. Dy video me nga dy valltarë (nga të cilët çdonjëri paraqet ngjalën në periudhat e ndryshme: fëmijë, vajzë dhe vajzë e pjekur), interpretojnë vallëzimin magjik, të parët ngjalën e lumit Temza të Londrës, Britanisë së Madhe, dhe të dytit të ngjalës së Ohrit. Xhirimet janë animuar dhe ripërpunuar pas produksionit, me kompjuterë, me efekte të ujit dhe botërave të mrekullueshme të ujërave. Në këto video, disenji i zërit është i Andi Kouton, dhe është shtuar dhe një tekst, i lexuar në anglisht dhe maqedonisht – dialog i llojit të vet midis dy ngjalave – ajo e Temzës dhe ajo e Ohrit, duke shkëmbyer përvojat për udhëtimet e veta të ndryshme.

Paraqitja vizuale e videove në ekranet e ujit – “sipërfaqet” e krijuara nga currilat e kompresionuara të vendosur ngushtë, që krijojnë një sipërfaqe të veçantë të lëkundshme qelqi – nxjerr efektin e projektimit të një imazhi ose projeksioni transparent, holografik, që mund të shihet nga të dy perspektivat (para dhe prapa). Nga ana tjetër, videoja e paraqitur 360̊ – grupit të realitetit virtual, lejon pranuesin të bëhet një pjesëmarrës aktiv dhe të përballet me këtë histori të mrekullueshme dhe tragjike për ngjalën e Ohrit. Inicion debat për ndërgjegjësimin mbi gjendjen e fatkeqësisë së ngjalës së Ohrit, bën thirrje për krijimin e një platforme për parandalimin e fatkeqësive ekologjike, të ndikohet mbi ndryshimin e klimës, të nxiten bisedime dypalëshe për të diskutuar këtë problem djegës, me të cilët do të ishin rrënuar pendët dhe do ishin ndalur shumë kushte absurde në ekosistem, etj.

Ky projekt flet për kërkimin e tokës së përbashkët, për prirjen e njeriut për të arritur një gjendje idilike të bashkësisë, mirëkuptim, botë pa pengesa dhe barriera, botë të kompromiseve dhe zgjidhjeve të problemeve dhe gjendjeve, e jo thellimi i tyre. Me gjuhën e paraqitjeve vizuale, Pulejkova projekton perspektivën maqedonase dhe aspiratat për ardhmëri Evropiane – ngjashëm si ajo e ngjalës sonë, me qëllim që individi të realizohet në nivelin e edukimit, punës, apo kërkimit të një jetese më të mirë, duke mos harruar kurrë origjinën e vet, rrënjën e vet, përkatësinë e vet. Edhe vetë ajo, si migrante, jeton përparësitë dhe mangësitë e ekzistencës larg nga vendi i vet. Ky projekt është pragmatizëm spekulues i llojit të vet, sepse tejkalon empirizmin radikal dhe premisat filozofike të Uiliam Xhejms, sipas të cilit, shumëllojshmëria dhe përvoja i bëjnë gjërat të kenë rëndësi. Pulejkova grumbullon përvojat nga shkenca dhe njohuritë , i përpunon me anë të teknologjive të reja, duke i bërë njohuritë më të qasshme dhe më transparente, duke nxitur kështu diskurse të thelluara për gjendjet shoqëroro-politike, ekologjinë, dhe problemet tjera kryesore të shoqërive bashkëkohore.

Fenomeni për migrimet e ngjalës dhe saga e ngjalës së Ohrit është një temë që është përpunuar dhe në mediume tjera artistike, si për shembull në romanin e Luan Starova “Rruga e ngjalës”, i cili po ashtu është marrë si metaforë kryesore në narrativin e turbullirave dhe migrimeve njerëzore dhe barreve të popujve të Maqedonisë dhe Shqipërisë, si në të kaluarën, ashtu dhe në politikat e vazhduara të kohërave të tanishme, të shikuara nëpër perspektivat dhe diskurset e modifikuara. Kështu, analogjia ngjalë-njeri është një parabolë frymëzuese për migrimet bashkëkohore dhe transversalet e kërkimit të ekzistencës.

Dhe, në vend të një konkluzioni, në projektin “Rruga dasmore” të Pulejkovas, do ta kisha apostrofuar aspektin e divergjencës dhe oponencës së kognitivitetit dhe ndërgjegjes njerëzore, përkundër instinktivitetit të botës kafshore, të transmetuar përmes tregimit për ngjalën. Ky dualitet jep ekskluzivitetin në narrativ për të dytët, sepse tendenca për të bërë ndryshimin e njohurisë së lindur dhe procesit natyror, paraqet një përpjekje të vetëdijshme për të parët, që të jenë bashkëpjesëmarrës në fatkeqësitë natyrore dhe zhdukjes së specieve. Në kuptimin transmetues, kjo mund të vendoset dhe në një konotacion ndryshe, apo të barazohet me relacionin e vendeve dhe popujve më të mëdhenj dhe më të zhvilluar, përkundër shoqërive më të vogla dhe të varura dhe qytetarëve të tyre, me instinkt të etur për lirinë e të menduarit dhe hapësira utopike – pa kufi.

Share Button