E TRETA E FSHEHUR: Diku ndërmjet pranisë dhe mungesës
Galeria Nacionale e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me galerinë Art Project Space prezantojnë ekspozitën grupore ndërkombëtare me artiste nga Maqedonia, Greqia, Serbia dhe Qiproja, të titulluar E Treta e Fshehur: Diku ndërmjet pranisë dhe mungesës.
Ekspozita, fillimisht, do të hapet në galerinë Art Project Space, të martën, më 13 maj, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 dhe do të zgjasë deri më 6 qershor 2025. Në tetor, ekspozita do t’i prezantohet publikut maqedonas, dhe veprat do të ekspozohen në Qendrën Multimediale Malla Stanica. Promovimi maqedonas është planifikuar nga 2 deri më 25 tetor. Kuratore të ekspozitës janë dr. Ana Frangovska, kustos këshilltare në Galerinë Nacionale të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe historiania e pavarur e artit nga Greqia Niki Papaspirou.
Ekspozita zhvillohet përgjatë një boshti imagjinar që shtrihet nga Beogradi deri në Nikozi, me Shkupin dhe Athinën si pika kryesore në këtë lidhje gjeopolitike dhe kulturore. Trembëdhjetë artistet maqedonase, greke, serbe dhe qipriote do të prezantojnë vepra në media siç janë instalime hapësinore dhe zanore, video, objekte, piktura, vizatime dhe performancë. Ekspozita krijon një hapësirë feministe të bashkëjetesës, rezistencës dhe rikompozimit, duke e theksuar rëndësinë e shprehjes artistike në një botë në ndryshim të vazhdueshëm.
Artistet pjesëmarrëse: Sllobodanka Stupar, Anica Vuçetiq, Darija S. Radakoviq, Anita Argiroiliopulu, Efi Furiki, Katerina Evangelaku, Monika Moteska, Vana Urosheviq, Dijana Tomiq, Sllavica Janeshlieva, Klica Antoniu, Marina Kasianidu, Elina Joanu.
E Treta e Fshehur paraqet zgjerim të projektit Prani/Mungesë, duke formuar një rrjet dialogu ndërmjet zërave të artisteve nga Ballkani dhe Mesdheu. E frymëzuar nga teoria e Basarab Nikolesku-t mbi realitetin e ndërlidhur dhe shumështresore, ekspozita e trajton “të tretën e fshehur” si një sferë qendrore të ekzistencës ku bashkëjetojnë dhe transformohen nocionet e kundërta: prania/mungesa, materiale/jomateriale, individuale/kolektive.
